Trafikanti i kartelit i kërkuar në 100 shtete, kapet kur e dashura modele poston fotot në Facebook (fotot)

16/04/2022 15:24

Kreu i një karteli meksikan drogash i kërkuar në rreth 100 shtete është arrestuar pasi e dashura e tij modele postoi fotot e të dyve në rrjetet sociale.

39 vjecari Brian Donaciano Olguin Berdugo – i njohur ndryshe si Pitt, u arrestua në një banesë në qytetin kolumbian të Cali.

Kapja e tij erdhi pasi e dashura e tij modele, me të cilën kishte kaluar disa net në një hotel luksi postoi fotot dhe vendndodhjen e tyre në llogarinë e saj në Facebook.

Meksikani kishte ardhur në Kolumbi për të mbyllur marrëveshjet e blerjes së kokainës me kartelet lokale, sipas mediave për llogari të kartelit të fuqishëm Sinaloa.

Mediat vendase thonin se gjatë ditëve me të dashurën e tij, emri i të cilës nuk është bërë publik nga autoritetet,  Bedrugo kishte hequr dorë nga protokollet e sigurisë, duke bërë të mundur zbulimin e vendndodhjes.

Vajza raportohet se e kishte bindur të takohej me të në rezortin e njohur turistik Cerro de los Cristales, ku ai ishte fotografuar.

Rrjedhimisht fati i tij u vulos kur agjentët e anti-drogës së SHBA njoftuan kolegët kolumbianë për vendndodhjen e të dyshuarit.

Raportimet thonin se kamerat e sigurisë së aeroportit Jose Maria Cordova e kishin fotografuar atë me një tjetër vajzë tërheqëse.

Agjentët kolumbianë kishin nisur të ndiqnin Berdugo dhe pas dy javë mbikqyrjeje e kishin arrestuar atë.

Zëdhënësi i policisë vendase Jorge Vargas Valencia tha: “Ne besojmë se ky rezultat është i rëndësishëm sa i përket kapjes së delegatëve të karteleve meksikane që vijnë këtu për të tregtuar drogë dhe armë me fraksione rebele”.

Karteli Sinaloa është një nga bandat meksikane më të fuqishme së bashku me Jalisco Nueva Generation Cartel (CJNG).

FOTO GALERI
1/4
Kreu i një karteli meksikan drogash i kërkuar në rreth 100 shtete është arrestuar pasi e dashura e tij modele postoi fotot e të dyve në rrjetet sociale.

Top Channel