Një 102-vjeçar u ka ardhur në ndihmë refugjatëve ukrainas, të cilët ikën nga vendi i tyre për t’u shpëtuar sulmeve ruse.
Dabirul Islam Choudhury arriti të mblidhte 420,000 paund në ndihmë të tyre.
Të shtunën, ai priti njerëz nga e gjithë bota në shtëpinë e tij për të mbështetur refugjatët ukrainas dhe për të mbledhur para për nismën bamirëse “Ramadan Family Commitment”.
Anëtarët e komunitetit ukrainas që janë zhvendosur kohët e fundit për shkak të pushtimit rus mbajtën 102 sekonda heshtje të udhëhequr nga zoti Choudhury.
Gjithashtu persona nga 300 qytete në mbarë botën, duke përfshirë Bangladeshin, Kanadanë, Indinë, Pakistanin apo Turqinë morën pjesë online.
Choudhury dhe anëtarët e komunitetit të tij më pas folën me refugjatët për luftën në Ukrainë.
Duke folur për Sky News, Choudhury tha se ishte i emocionuar për të nisur iniciativën e mbajtjes së heshtjes për njerëzit që janë në nevojë dhe ata që kanë vdekur në luftë.
“Në mbështetje të plotë për ta. Unë lutem për ta. Ata duhet të ndalojnë. Ata duhet të kuptojnë njëri-tjetrin. Lufta nuk do ta zgjidhë kurrë problemin“, tha ai.
“Ka shumë njerëz atje që janë pa ushqim. Ka shumë njerëz atje që janë të uritur. Ka shumë njerëz atje që po vdesin. Dua t’i mbështes ata. Nëse ndihmoni dikë, do të përfitoni nga kjo. Unë dëshiroj të shoh që njerëzit që po grinden duhet të ndalojnë grindjet e tyre”, shtoi ai.
Në heshtje prej 102 sekondash ai tha: Një minutë nuk është asgjë!
“Unë i them njerëzimit të ndihmojë të tjerët dhe Zoti do t’i ndihmojë ata.”
Choudhury u bë i njohur gjatë pandemisë kur mblodhi qindra mijëra paund për viktimat e COVID-19 duke ecur çdo ditë gjatë muajit të Ramazanit ndërsa agjëronte.
“Mendova se kriza ka mbaruar dhe se pandemia ka mbaruar. Nuk e kam menduar kurrë se do ta shoh këtë ditë, ku populli i Ukrainës po qan dhe ka nevojë të dëshpëruar për mbështetje”, u shpreh ai.
“Refugjatët, nënat dhe fëmijët po vuajnë. Unë nuk mund të rri vetëm dhe të pres që lufta të përfundojë; ne duhet të bëjmë diçka tani”, shtoi 102-vjeçari.
Top Channel