Një dekadë më parë Gjok Gjoka, nga Hani i Hotit hoqi dorë nga linja e transportit me kamionë, për t’u marrë me punët e bujqësisë.
Fillimet e tij si fermer që kultivon bimë medicinale qenë të mbara. Por sipas Gjokës sherebela në këto dy vite është shitur me një çmim që mbulon kostot dhe që nuk të sjell fitim. Ndryshimi i të ardhurave në fund të muajit, bëri që familja e Gjokës të zvogëlohej. Nga 6 anëtarë, kjo familje mbeti me 3 pjesëtarë.
“Unë kam 4 fëmijë. Vajza e madhe është në Itali, vajza tjetër është Kanada, një djalë e kam që shkon e vjen në Itali. Po ky i vogli kam dëshirën që të mos lëvizi dhe e ka pasion bujqësinë dhe i është përkushtuar vetëm bujqësisë. Ti ia këshillon që ai të rri dhe të punojë tokën? E kam shumë dëshirë që ai të mos emigrojë”, tha fermeri Gjok Gjoka.
Më i vogli i shtëpisë, është 18 vjeç. Andi thotë ndryshe nga motrat dhe vëllai i tij, ai nuk do të largohet nga fshati.
“E ardhmja ime më pëlqen që të jetë në vendlindje. Më pëlqen të punoj në bujqësi. Edhe kushërinjtë që janë andej thonë hajde, por unë mendoj që kudo është e vështirë, siç do punoj atje do punoj edhe këtu. Kur vjen puna tek bujqësia, babë e bir janë gjithnjë bashkë”, tha Andi.
“Bujqësinë kam filluar ta pëlqej që kur babi filloi të merret me të”, shtoi ai.
Por dashuria e të birit për tokën, sipas Gjokës duhet ushqyer me politika mbështetëse nga Ministria e Bujqësisë, që deri më tani nuk kanë qenë të duhurat. Sipas tij shteti duhet të mbështesë të gjithë fermerët, pavarësisht renditjes dhe sipërfaqes.
“Unë kam 11 vite që merrem me bujqësi mund te kem bërë 5-6 herë aplikime dhe unë se kam marrë një qindarkë. Përse çfarë të thonë kur aplikon? Thotë je 3000-5000 në radhë çfarë është këtu gara e vrapimit.”
Ndryshe nga babi, Andi beson se të rinjtë mund t’i kthejnë sytë nga toka me fare pak vëmendje nga ministria e bujqësisë.
“Jo vetëm ne, por të gjithë fermerët në Malësinë e Madhe kanë nevojë për mbështetje, subvencionime, uljen e çmimit të naftës.”
Për Andin largimi i moshatareve të tij nga fshati nuk është shumë shqetësues, pasi dita e tij është e zënë pasi kthehet nga shkolla djalin e ri e thërret bujqësia.
Sa shokë ke në lagje?
“Në lagje vetëm një ka mbet të tjerët kanë ikur. Në fshat të gjithë kanë ikur jashtë. Shumë pak kanë mbetur.”
Nuk e ke menduar kurrë të ikësh nga këtu?
“Jo nuk ka ndonjë ide që më vjen në mendje.”
18-vjeçari planet për të ardhmen i ka të qarta, sapo të përfundojë maturën do të shkojë në universitet për të ndjekur studimet në degën e menaxhimit të biznesit, e më pas do të rikthehet sërish në fshat, po kësaj herë me një vizion të ri për fermën.
Top Channel