Do e pranonit Komisionin e Rithemelimit si organ drejtues të PD? Ja si përgjigjet Alibeaj

16/04/2022 10:53

Ndërsa lexoi disa prej propozimeve të deputetëve demokratë që nuk gjetën miratim në platformën e prezantuar për bashkimin e demokratëve, Alibeaj tha se qëndrimet e tyre mbeten të hapura për diskutim.

“Për të qenë transparent, ka patur edhe propozime shtesë të disa kolegëve, por procedura e ndjekur e konsultimit dhe hartimit të një qëndrimi që gëzonte mbështetjen më të gjerë, ishte që nëse një apo disa kolegë të tjerë nuk ishin dakord, atëherë propozimi shtesë mbi atë të mësipërmin, nuk mund të përfshihej.

Për ilustrim:
a) kolegët Agron Gjekmarkaj, Ferdinand Xhaferraj, etj., kishin propozim shtesë që në qëndrim të specifikohej se Sali Berisha dhe Lulzim Basha nuk mund të kandidojnë për pozicionin e kryetarit të Partisë.
b) Kolegët Alfred Rushaj, Fatjon Veizaj, etj. kishin disa komente që kishin të bënin me përcaktimin e kritereve të qarta për zgjedhjen e kryetarit të partisë apo komente të tjera shtesë.
c) Kishte edhe disa kolegë që kërkonin që të specifikohej që Sali Berisha nuk mund të jetë pjesë e grupit parlamentar, apo dy kolegë të tjerë që kërkonin të specifikohej që Sali Berisha duhet të kthehej në Grupin Parlamentar.

Por të gjitha këto cështje, sa kohë nuk kishin dakordësinë e shumicës së deputetëve që propozojnë dhe mbështesin këtë qëndrim, nuk mund të përfshiheshin në këtë qëndrim të shumicës së Grupit Parlamentar. Megjithatë këto cështje janë të hapura për tu diskutuar në një moment tjetër, me frymë mirëkuptimi dhe gjithëpërfshirje.

Në përfundim më lejoni t’ju informoj se këtë qëndrim të shumicës së Grupit Parlamentar, do e bëj me dije edhe anëtarëve të Kryesisë së Partisë, anëtarëve të Kolegjit të Kryetarëve dhe anëtarëve të Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike.

Dua të falenderoj edhe njëherë secilin prej kolegëve që me prezantimin e këtij qëndrimi, njëlloj sic vepruan me kërkesën për tërheqjen e zotit Basha, vendosin në plan të parë, interesin e Partisë Demokratike, interesin e demokratëve, ndërmarrin akte konkrete për bashkimin e Partisë Demokratike, duke ndaluar cdo rrugë të njënashme, përcarëse për partinë, dhe nga e cila përfiton vetëm Edi Rama. Tani është koha që cdo deputet, të shoh përtej interesit të tij, të shoh përtej interesit të një grupi të ngushtë, të shoh përtej qëndrimit që ka patur deri më tani, duke iu bashkuar shumicës së grupit parlamentar, në këtë qëndrim përbashkues të demokratëve.” -tha Alibeaj.

Do e pranonit Komisionin e Rithemelimit si organ drejtues te PD? 

“Kjo është një platformë parimesh që iu adresohet bazës së demokratëve. Është qëndrim detyrim politik e moral tua bëjë këtë shërbim atyre. Bashkimi është një vlerë që demokratët e duan. Bashkimi sipas këtyre parimeve, bazuar te vota, nuk ka asnjë qortim në aspektin moral. Këtë duan demokratët.

Nëse demokratët në bazë bashkohen gjithcka tjetër del e tepërt. Nëse më pyesni c’bëhet me apelimin, e kam bërë të qartë që kur ai vendim u dha, kushdo që vlerëson se një vendim i tillë shkel ligjin të bëjë aktin më minimal të ankohet. Deputetët kërkojnë bashkimin, nëse arrihet kjo ky është synimi final.” -vijoi Alibeaj.

Top Channel