“Ngërçi në PD, faji i Berishës”/ Ndreca: Nuk iku kurrë nga e djathta, nuk e la të lirë partinë

14/04/2022 22:26

Avokati Plarent Ndreca është i mendimit se shkaktari kryesor i krizës në Partinë Demokratike është Sali Berisha.

Berisha, thotë ai në “Top Story”, dha dorëheqjen nga drejtimi i së djathtës në vitin 2013, por kurrë nuk u largua vërtet.

Fatkeqësisht problemi fillon në 2013, kur Sali Berisha nuk iku nga politika. Bëri një lëvizje gjasme dhe nuk e lejoi PD-në të kishte garën e duhur. Basha nuk arritur dot të shkëputej nga hija e Sali Berishës, problemi kryesor është Berisha. Ka qenë aty gjatë gjithë kohës. Dhe vazhdon të jetë aty dhe vazhdon t’i imponohet PD-së”.

Sipas tij, ish-kryeministri e drejton PD-në në mënyrë diktatoriale.

Sot, shton Ndreca, politika vuan nga paaftësia për të gjetur lider, pasi si ofertë të saj për lider ka pikërisht Berishën, që drejton PD-në në mënyrë diktatoriale.

PD-ja ndodhet ende në një krizë edhe pas dorëheqjes së Lulzim Bashës, pasi Grupi i Rithemelimit akuzon Alibeajn si  vijues të lojës së Edi Ramës dhe Bashës për të përçarë PD-në.

Nga ana tjetër, Alibeaj nuk pranoi që Berisha të ishte pjesë e mbledhjes së Grupit Parlamentar të partisë, por ky i fundit nuk e zbatoi urdhrin dhe u bë pjesë e tavolinës në selinë blu.

Gjatë mbledhjes së Grupit Parlamentar të PD-së të thirrur nga kryetari i komanduar Enkelejd Alibeaj të martën u shoqërua me debate mes mbështetësve të Berishës dhe Alibeajt. Berisha gjithashtu i kërkoi Alibeajt që të jepte dorëheqjen  duke u shprehur për mediat se do ta ndjekë fati i Bashës.

Në mbledhje nuk mori pjesë ish-kryedemokrati Lulzim Basha, si edhe deputetët Agron Gjekmarkaj, Grida Duma, Alfred Rrushaj, Flutura Açka, Belind Kelliçi, Dash Sula, Ferdinand Xhaferri, Bujar Leskaj dhe Agron Shehaj.

Top Channel