Konflikti në Ukrainë/ Turqia thotë se ‘jemi në një Luftë të Ftohtë të re’ (fotot)

14/04/2022 16:30

Ankaraja ka paralajmëruar se situata aktuale mund të ketë efekte afatgjata.

Zëdhënësi i presidentit të Turqisë tha sot se lufta në Ukrainë është një “Luftë e Ftohtë e epokës së re”, me pasoja që do të zgjasin për disa dekada.

Duke komentuar në rrjetin Twitter parashikimet e tij të vrazhda, Ibrahim Kalin tha se kriza në Ukrainë vijon të thellohet, prandaj “të kërkuarit e një balance të re fuqie, së bashku me llogaritjet për përfitime afat-shkurtra, do të shkaktojnë dramë të madhe njerëzore dhe humbje strategjike, në terma afatmesme e afatgjata.”

“Kemi hyrë në një ‘Luftë të Ftohtë’ të epokës së re. Efektet e kësaj lufte do të zgjasin për dekada,” shkruante Kalin i cili ka qenë zëdhënësi i liderit turk Rexhep Tajip Erdogan, prej vitit 2014.

Që prej nisjes së ofensivës së Moskës më 24 shkurt, Turqia ka ruajtur një pozitë ‘neutrale’ duke nxitur për bisedime paqeje e duke paralajmëruar Perëndimin kundër tentativave të izolimit të Rusisë, duke u përpjekur të veprojë si një ndërmjetësuese mes Moskës e Kievit. Ankaraja ka refuzuar të vendosë sanksione ndaj Rusisë dhe ka ruajtur kanalet diplomatike me të dyja palët.

Gjatë javëve të fundit tensionet mes Rusisë e Perëndimit janë rritur dhe kërcënimi i një tjetër Lufte të Ftohtë është shprehur edhe nga të tjerë.

Në fillim të muajit ministri i jashtëm kinez Wang Wenbin akuzoi SHBA për “mentalitet të Luftës së Ftohtë” duke i bërë thirrje të ndryshojë “praktikën e krijimit të armiqve imagjinarë apo të konfrontimit të blloqeve”.

FOTO GALERI
1/3
Kalin ka qenë zëdhënësi i liderit turk Rexhep Tajip Erdogan, prej vitit 2014.

Top Channel