Vrau deputetin britanik, terroristi Ali Harbi Ali dënohet me burgim të përjetshëm

13/04/2022 18:04

Terroristi që vrau deputetin veteran Sir David Amess do të vdesë pas hekurave pasi u dënua me burgim të përjetshëm.

Ali Harbi Ali, u shfaq në Old Bailey të mërkurën pasi u dënua për vrasje dhe akte terroriste. Sir David u godit me thikë mbi 20 herë gjatë një takimi në Essex tetorin e kaluar, sipas Sky News.

Gjykatësi Justice Sweeney tha se vrasja e deputetit të Southend West “goditi në zemër demokracinë tonë”. Gjykatësi tha se Sir David nuk kishte bërë asgjë dhe se humbja e tij ishte me rëndësi kombëtare.

Sweeney shtoi se vrasja u krye “për t’u hakmarrë për humbjet e Shtetit Islamik në Siri” dhe se Sir David kishte “luftuar me guxim” kundër sulmit.

“I pandehuri nuk ka asnjë pendim apo turp për atë që ka bërë, por krejt e kundërta”, tha gjyqtari.

Në një deklaratë pas dënimit, familja e Sir David tha se ata nuk ndjenin asnjë gëzim nga burgimi i Aliut dhe ata do të derdhnin lot përgjithmonë për njeriun që kanë  humbur.

“Babai ynë i mrekullueshëm na është marrë në një mënyrë të tmerrshme dhe të dhunshme. Nuk do ta kalojmë kurrë këtë tragjedi. Sa e pështirë të mendosh se çfarë ndodhi më pas. Është përtej së keqes”, thanë ata.

Për këtë reagoi edhe kryeministri britanik, Boris Johnson, duke thënë se e mirëpret dënimin e përjetshëm të dhënë Aliut.

“Ne kurrë nuk do të lejojmë që ata të cilët kryejnë akte të liga të triumfojnë mbi demokracinë”.

Ai tha në gjyq se nuk ishte penduar për vrasjen dhe se Sir David e meritonte të vdiste sepse kishte votuar në parlament për sulmet ajrore në Siri në vitet 2014 dhe 2015.

Ali do t’u bashkohet edhe të dënuarve të tjerë me burgim të përjetshëm si Thomas Mair , i cili vrau deputetin laburist Jo Cox në vitin 2016 dhe oficerin e policisë Wayne Couzen që përdhunoi dhe vrau Sarah Everard në Londrën jugore vitin e kaluar.

Prokurorët e përshkruan Aliun si një mbështetës “të etur për gjak” të Shtetit Islamik, i cili kishte shpenzuar vite duke krijuar komplotin për të vrarë një deputet.

26-vjeçari kishte hulumtuar një numër objektivash të mundshëm politikë të profilit të lartë, duke përfshirë Michael Gove, Dominic Raab dhe Sir Keir Starmer, përpara se të vendosej për Sir David.

Gjatë takimit me politikanin, Ali tha “më fal”, nxori thikën nga rrobat e tij dhe e goditi vazhdimisht.

Terroristi i ashtuquajtur “ujku i vetmuar” u kishte dërguar një mesazh në WhatsApp familjes dhe miqve për të justifikuar veprimet rreth kohës së sulmit. 69-vjeçari Sir David, baba i pesë fëmijëve, ishte deputet prej vitit 1983.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA