U sanksionua nga SHBA, jep dorëheqjen politikani boshnjak: Detyrim moral!

13/04/2022 15:35

Pas sanksionimit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Asim Sarajlic, delegat në Asamblenë Parlamentare të Bosnje e Hercegovinës dhe zyrtar i lartë i Partisë udhëheqëse boshnjake të Veprimit Demokratik, SDA, vendosi të japë dorëheqjen.

“Pavarësisht se nuk jam i dënuar për asnjë krim në shkallë të parë apo të fundit, besoj se – për shkak të vendimit të autoriteteve amerikane për të më futur në listën e personave të sanksionuar – është detyrimi im të tërhiqem nga pozicionet që mbaj”, u shpreh ai.

Asim Sarajlic: Si person i përgjegjshëm, për të cilin interesi i shtetit është mbi të gjitha, nuk dua të jem, në asnjë mënyrë, pengesë në zbatimin e planeve të përbashkëta strategjike dhe të partneriteteve midis Bosnjës dhe Shteteve të Bashkuara. SHBA-ja është një mik i vërtetë afatgjatë dhe partner strategjik i Bosnjës dhe “asnjë individ nuk duhet të jetë pengesë për bashkëpunimin e vazhdueshëm.

Politikani boshnjak shtoi se do të jetë në dispozicion të institucioneve gjyqësore të Bosnjës në çdo moment, “plotësisht i bindur” se “do ta provojë pafajësinë e tij”. Zyra e Departamentit amerikan të Thesarit për Kontrollin e Pasurive të Huaja OFAC, publikoi dy ditë më parë një listë të të sanksionuarve për vepra korrupsioni, në të cilën përfshihen shtatë persona nga Ballkani Perëndimor. Nga Bosnja, përveç Sarajlicit, është edhe ish-kryeprokurorja e këtij vendi Gordana Tadiq.

Nga Shqipëria, në listë figuronin Aqif Rakipi dhe Ylli Ndroqi, nga Mali i Zi ish-zyrtari i lartë i Partisë Demokratike të Socialistëve, Svetozar Maroviq, nga Maqedonia e Veriut janë ish-kryeministri Nikola Gruevski dhe ish-shefi i Drejtorisë së Sigurisë dhe Kundërzbulimit në këtë vend, Sasho Mijalkov. Nënsekretari i Thesarit amerikan për Terrorizëm dhe Inteligjencë Financiare, Brian E. Nelson, tha se personat e sanksionuar “përbëjnë një kërcënim serioz për stabilitetin rajonal, besimin institucional dhe aspiratat e atyre që duan qeverisje demokratike dhe të matur në Ballkanin Perëndimor”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA