Ilir Meta do të largohet nga karrigia e Presidentit në muajin korrik dhe deri atëherë mazhorancës, me apo pa bashkëpunimin e opozitës, i duhet të zgjedhë një emër të ri.
Por për Prof. Dr. Artan Fuga, më i rëndësishëm dhe emri, është nevoja urgjente për të rishikuar kompetencat e institucionit të Presidentit.
Sipas tij, politika e rifilluar diskutimin mbrapsht.
“Gjëja e parë që duhet të rregullohet është rregullimi i institucionit të Presidentit. Ilir Meta ka kthyer shumë ligje, por rezultati është zero, se s’ka pasur kompetenca”, thotë akademiku në një intervistë për “Top Talk”.
Fuga shpjegon se Presidenti duhet të ketë më shumë pushtet, në të kundërt cenohet balanca e pushteteve.
“Një Presidenti të ardhshëm, ose i duhet dhënë pak më shumë pushtet që të ketë një rol në ndërtimin e ligjeve dhe në nxjerrjen e ligjeve, ose të ketë një fuqi të caktuar ndaj disa vendimeve të qeverisë, disa kufizimeve që i duhen vendosur.
Ose ai ka nevojë që të ketë fuqi pak më të madhe në raport me parlamentin. Nuk po them që të ketë fuqi që në kushte të caktuara të shpërndajë parlamentin, por një President që nuk ka këto fuqi, na sjell një kryeministër, cilido qoftë ai, që zotëron qeverinë, Presidentin e izolon, ka shumicën në parlament dhe kështu zotëron pushtetin legjislativ, zotëron dhe të gjitha fuqitë kushtetuese të vendit. Ka dhe partinë dhe tërë sistemin politik dhe tërë administratën në dorë”.
Në këtë mënyrë, shton Fuga, “po shkojmë te një pushtet i personalizuar dhe ky është problemi, do të jemi me një President, që nuk do të ketë asnjë lloj roli dhe ky është defekt i jashtëzakonshëm dhe do të vazhdojë të jetë për qytetarët”.
Por, si duhet të zgjidhet Presidenti?
“Nëse jemi te zgjidhja më e keqe, që e ka kapur demokracinë shqiptare në një lloj kurthi, sepse thonë tani reformën ne nuk e ndryshojmë dot, por tani të zgjedhim brenda kësaj situate.
Brenda kësaj zgjidhjeje, që është më e keqja, ka mundësi ose për një profil politik të shumicës, ose për një profil politik që vjen nga opozita ose për një profil politik që është joaktiv sot në politikë por që e ka këtë konotacion, ose një njeri nga shoqëria civile”.
Në këtë situatë të keqe, Edi Rama do të dilte ballëhapur, nëse do t’i thoshte opozitës më thoni ju një propozim, cilido qoftë dhe unë të pranoj. Ose më dërgoni katër emra dhe kush të marrë më shumë vota, të caktohet, sipas Artan Fugës.
Kjo do të ishte zgjidhja më e mirë në të gjithë në keqen në të cilin ndodhemi, thotë ai.
Top Channel