Raporti i DASH për drejtësinë, Basha: SHBA-të konfirmuan sërish se shqetësimet e ngritura nga PD janë të drejta

13/04/2022 15:50

Lulzim Basha ka reaguar në lidhje me raportin për drejtësinë në Shqipëri nga Departamenti Amerikan i Shtetit.

Basha shprehet se korrupsioni është i përhapur në të gjitha degët e qeverisjes së Edi Ramës dhe se ky i fundit po pengon drejtësinë të veprojë.

Ai e cilëson një këmbanë alarmi raportin e DASH për Prokurorinë dhe Gjykatën e Posaçme Kundër Krimit dhe Korrupsionit.

Sipas kryetarit të dorëhequr të PD-së, pa u vënë para ligjit ata që deformuan vullnetin e zgjedhësve dhe kokat e korrupsionit, Shqipëria s’do të ketë as progres e as zhvillim ekonomik.

Në raportin e përvitshëm të Departamentit të Shtetit për të drejtat e njeriut nënvizohet se korrupsioni është i përhapur në të gjitha degët e qeverisjes së Edi Ramës. Ashtu si në rastin e kanabizimit të vendit, apo në rastin e fundit të inceneratorëve Edi Rama është kthyer në mburoj të ministrave të korruptuar duke penguar drejtësinë të veprojë ndaj zyrtarëve të lartë. Raporti ka vërtetuar edhe shqetësimin e PD për përdorimin politik të policisë dhe shpesh herë kthimin e saj në shërbim të personave të inkriminuar.

Nndërkohë që dosjet për masakrën zgjedhore presin një vendimmarrje nga organet e drejtësisë, DASH risjell në vëmendje problematikën e blerjes së votave, rrjedhjën e të dhënave personale të 900 mijë shqiptarëve dhe përdorimin e tyre për arsye elektorale si dhe përdorimin e fondeve publike në funksion të përfitimit electoral.

Ky raport duhet të jetë kambanë alarmi për institucionet e drejtësisë e veçanërisht Prokurorinë dhe Gjykatën e Posaçme Kundër Krimit dhe Korrupsionit, të cilat janë krijuar për të vënë para drejtësisë të paprekshmit, zyrtarët e lartë të korruptuar, ata që kanë tjetërsuar me forma dhe mënyra të ndryshme vullnetin e shqiptarëve për ndryshim e për t’u kthyer atyre besimin tek drejtësia.

Pa u vënë para ligjit ata që deformuan vullnetin e zgjedhësve dhe kokat e korrupsionit, Shqipëria s’do të ketë as progres e as zhvillim ekonomik“, sipas Bashës.

Top Channel