Përpjekjet e nëndheshme për shkëputjen e entitetit serb të Bosnjës, marrin një goditje tjetër. Përfaqësuesi i Lartë në Bosnjë e Hercegovinë, Christian Schmidt, anuloi tentativat e Republikës Sërpska për të transferuar pronën shtetërore.

Schmidt pezulloi dekretin e presidentes së këtij etniteti, e cila dy ditë më parë u sanksionua nga Britania e madhe, Zheljka Cvijanovic, për shpalljen e Ligjit për pronat e paluajtshme që përdoren për funksionimin e autoriteteve publike.

Schmidt tha se ky vendim do të vlejë deri në vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Bosnjë e Hercegovinës. “Vetëm shteti i Bosnjë e Hercegovinës mund të kontrollojë pronën shtetërore”, tha Schmidt.

Kushdo që nuk respekton vendimin e Përfaqësuesit të Lartë mund të dënohet, pasi një gjë e tillë konsiderohet krim. “Vendimet që mora nuk e minimizojnë në asnjë mënyrë statusin e entitetit të Republikës Sërpska”, shpjegoi.

“U bëj thirrje të gjithëve në Bosnjë e Hercegovinë që të ulen dhe të diskutojnë së bashku për të ardhmen e pronës shtetërore, që të arrijnë një zgjidhje të arsyeshme për pronën shtetërore, çështje që është e pazgjidhur që 14 vjet.  Politika në demokraci kërkon që të gjithë të kontribuojnë për shtetin, dhe jo vetëm të shikojnë xhepat e tyre. Të gjithë në këtë shtet duhet të marrin drejt pjesën e tyre, qofshin ato entitete apo kantone. Por, nuk duhet të ketë vendime të njëanshme”, shtoi zyrtari i lartë.

Ligji për pronën e paluajtshme u publikua në Gazetën Zyrtare të Republikës Sërpska në 5 prill, pasi ishte miratuar në Parlamentin e këtij entiteti në 10 shkurt. Ky ligj parashikonte që pronat e paluajtshme në pronësi të shtetit të Bosnjë e Hercegovinës të bëhen prona të Republikës Sërpska.

 

Top Channel