Berisha flet pas mbledhjes së Rithemelimit: Raporti i DASH, ‘grafi’ e plotë e korrupsionit në vend

13/04/2022 22:12

Ish-kryeministri Sali Berisha komentoi raportin e DASH për Shqipërinë pasi doli nga mbledhja e Rithemelimit që zgjati për disa orë në selinë blu.

“Një grafi e plotë e regjimit të sotëm” e ka cilësuar Berisha raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit, që kritikon Shqipërinë për mosndëshkimin e krimit dhe korrupsionin e zyrtarëve të lartë si dhe hapat prapa në lirinë e shprehjes.

Vlerësoj raportin e DASH, ka bërë radiografi të kësaj qeverie në çdo rrafsh. E gjej një dokument shumë të vyer dhe të dobishëm për të gjithë ata që janë të interesuar ndryshimin e gjendjes në këtë vend. Pasqyronte inceneratorët. Pasqyronte problemin e mungesës për shqiptarët e një të drejte themelore që është procesi i duhur. Duhet edhe koha e duhur. Me 140 e ca mijë dosje, qytetarët mos të marrin kurrë vendimin, të tjerë e marrin kur nuk shërben më. Ne kundërshtonim Vettingun sepse asgjësoi për 4 vite shtetin ligjor, sepse me vakumin do të krijonte këtë katastrofë dosjes dhe që faktikisht Shqipëria do të bëhet problem madhor për Strasburgun. Ishte raport që e përshëndes. Më vjen shumë mirë që ishin të gjitha çështjet”.

Departamenti amerikan i Shtetit ka publikuar raportin vjetor për të drejtat e njeriut ku për Shqipërinë rendit probleme si korrupsion, mos ndëshkim në të gjitha nivelet e qeverisjes, mungesë pavarësie në sistemin gjyqësor, si dhe kufizim i lirisë së shprehjes.

Sipas raportit të DASH, qeveria nuk e zbatoi legjislacionin që ndalon individët me dënime penale të shërbejnë si kryetarë bashkie, deputetë ose në poste qeveritare ose shtetërore.
Presioni politik, frikësimi, korrupsioni dhe burimet e kufizuara e penguan gjyqësorin të funksiononte plotësisht, në mënyrë të pavarur dhe efikase”, thekson raporti.

Në raportin e DASH, përfshihet dhe një raport i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, që nxori disa gjetje për zgjedhjet e 25 prillit të vitit 2021, si blerja e votave, rrjedhja e të dhënave personale dhe avantazhi i konsiderueshëm i partisë në pushtet”.

“Policia nuk e ka zbatuar gjithmonë ligjin në mënyrë të barabartë. Lidhjet personale, politike ose kriminale, infrastruktura e mangët, shpesh patën pasoja në zbatimin e ligjit”, thotë raporti.

“Presioni politik, korrupsioni dhe mungesa e fondeve kufizuan medien e pavarur të shkruar dhe gazetarët në përmbushjen e detyrës“, thuhet në raportin e departamentit të shtetit.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA