“Ti je shkaktari”! Debat i ashpër mes Nokës dhe Bardhit në mbledhjen e PD-së

12/04/2022 17:17

Mbledhja e Grupit Parlamentar të PD-së e thirrur nga kryetari i komanduar Enkelejd Alibeaj këtë të martë është shoqëruar me debate me mbështetësve të Berishës dhe Alibeajt.

Flamur Noka ka akuzuar ish-sekretarin e Përgjithshëm, Gazment Bardhi se është shkaktari i krizës në PD.

“Ti je shkaktari që PD-ja është në këtë gjendje”, mësohet të ketë thënë Noka në mbledhje.

Bardhi nga ana tjetër është shprehur se Komisioni i Rithemelimit po përpiqet të heqë përgjegjësinë nga vetja.

Kur erdhët ditën e vendimit gjyqësor, thate se vendimet e gjyqit zbatohen ndërsa sot thoni se gjykata është e Ramës”, ka replikuar më tej Bardhi.

Në mbledhje nuk kanë marrë pjesë, ish-kryedemokrati Lulzim Basha, si edhe deputetët Agron Gjekmarkaj, Grida Duma, Alfred Rrushaj, Flutura Açka, Belind Kelliçi, Dash Sula, Ferdinand Xhaferri, Bujar Leskaj dhe Agron Shehaj.

Pjesë e mbledhjes në selinë e PD-së, janë bërë edhe deputetët e grupit të rithemelimit, përfshi ish-kryeministrin Berisha. Gjithashtu janë pjesë edhe të përjashtuarit Flamur Noka, Edmond Spaho  dhe Luan Baci.

Një ditë më parë, kreu i grupit parlamentar të PD, Enkelejd Alibeaj shprehu edhe një herë qëndrimin e tij për Berishën ndërsa tha se ‘non gratat’ nuk kanë vend në parti. “Ju e dini cili është komenti im për non grata dhe të tjerë non grata. Komenti im është që non gratat nuk duhet të kenë vend këtu”, u shpreh Alibeaj.

Top Channel