Kryeministri Edi Rama nuk dha asnjë koment për vendosjen e sanksioneve ekonomike nga SHBA-ja ndaj ish-deputetit socialist Aqif Rakipi.

 “Të vijmë deri në Berlin për të folur për kandidatin e PS në Tiranë më duket pak e sforcuar”, kështu u përgjigj Rama pasi u pyet nga gazetarja.

 

Kujtojmë se këtë të hënë, SHBA-të kanë vendosur sanksione të ashpra ekonomike ndaj ish-deputetit socialist Aqif Rakipi dhe biznesmenit Ylli Ndroqi. Në letrën e bërë publike nga Departamenti amerikan i Thesarit, ata akuzohen për përfshirje në veprimtari kriminale.

Në rastin e Rakipit, pyetja kryesore është mbi dy të afërmit e tij, dhëndrin e të vëllait dhe djalin, të dy anëtarë të Kuvendit, të dy të Partisë Socialiste, Saimir Hasalla dhe Ornaldo Rakipi. Top Channel pyeti një zyrtar të lartë amerikan të Thesarit edhe për këtë çështje.

Përgjigja ishte se “pasojat janë për individët e përmendur, pra Rakipin në këtë rast, por po mblidhen prova dhe për çdo njeri tjetër sepse mesazhi është: Nuk duam individë të tillë të kenë këto pozita në shoqërinë shqiptare, tha një zyrtar i lartë i Departamentit të Thesarit.

Ndërkohë një zyrtar i lartë i Departamentit Amerikan të Shtetit i tha Top Channel se po shqyrtohet mundësia që edhe persona të shpallur ‘non grata’, në bazë të seksionit 7031, pika c, t’i nënshtrohen të njëjtave sanksione ekonomike, si Rakipi dhe Ndroqi. Ndërkohë një zyrtar i lartë i Departamentit të Thesarit, i tha Top Channel se vendimet janë sinjale sesa seriozisht shtetet e bashkuara marrin korrupsionin, pasi korrupsioni është problemi kryesor i Ballkanit.

Pas shpalljes së vendimit të Departamentit amerikan të Thesarit, djali i Aqif Rakipit, deputeti socialist Ornaldo Rakipi foli për herë të parë para mediave ndërsa hynte në Parlament,  duke u shprehur se babai i tij është i pastër dhe se është i gatshëm të japë dorëheqjen si deputet nëse veprimet kriminale vërtetohen.

Ish-kryeministri i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Nikola Gruevski dhe ish-drejtori i Departamentit për Siguri dhe Kundërzbulimit (UBK) Sasho Mijalkov dhe ish-kryeprokurorja e Prokurorisë së Shtetit në Bosnje Hercegovinë, Gordana Tadiç janë në të dyja listat, edhe ‘non grata’ nga Departamenti i Shtetit, edhe  të sanksionuar ekonomikisht nga Departamenti i Thesarit.

Gjithashtu u sanksionuan Asim Sarajlicdeputet në parlamentin e Bosnje dhe Hercegovinës dhe Svetozar Marovic,politikan malazez që shërbeu si kreu i fundit i qeverisë së Serbisë dhe Malit të Zi nga viti 2003 deri deri në shpalljen e pavarësisë së Malit të Zi në 2006.

 

Top Channel