Putin e Lukashenko përshkruajnë masakrën në Bucha ‘të rreme’, ‘të inskenuar nga anglezë’ (fotot)

12/04/2022 21:33

Gjatë një vizite në lindje të Rusisë presidenti Vladimir Putin u takua me homologun bjellorus Alexander Lukashenko dhe quante vrasjet masive të civilëve në Bucha “të rreme” si dhe vlerësonte atë që quante luftën “fisnike” të ushtrisë ruse në Ukrainë.

“Nëse flasim për Bucha … janë të njëjtat inskenime si në Siri,” tha Putin, duke iu referuar pretendimeve ruse në vitin 2018 se përdorimi i armëve kimike në luftën e Sirisë ishte inskenuar nga agjentë të huaj.

Bucha ishte “një operacion psikologjik ushtarak i inskenuar nga anglezë,” shtoi Lukashenko pas tij.

Pas tërheqjes së trupave ruse nga Bucha në periferi të Kievit, autoritetet zbuluan civilë në dukje të lidhur e të vrarë nga afër, si dhe varre masive të banorëve vendas.

Rusia ka mohuar përgjegjësinë por shumë media  kanë treguar se skenat nuk kishte shumë gjasa të inskenoheshin nga Ukraina.

Presidenti rus ishte me presidentin bjellorus në një vizitë në kozmodromin Vostochny Cosmodrome në Lindjen e Largët ruse për të celebruar “Ditën e hapësirës”, sipas mediave.

“Ajo që po ndodh në Ukrainë është një tragjedi … por ata nuk na lanë zgjedhje tjetër,” tha Putin duke dënuar gjithashtu SHBA për krijimin e konfliktit që sipas tij “ata do të luftojnë deri në ukrainasin e fundit”, shkruan agjencia ruse Tass.

Ai shtoi se është e pamundur të izolosh Rusinë me sanksione prej masës së saj, edhe pse ekonomia e vendit pritet të tkurret sivjet me 10 përqind, rënia më e madhe në dy dekada.

Putin shtoi se negocjatat e paqes me Ukrainën ishin në “ngërç” prej mospërputhjeve në çështje thelbësore.

Top Channel