Debatet në mbledhjen e PD-së/ Bushati: Rithemelimi po shton krizën, ja rruga drejt bashkimit! Noka: Alibeaj po ndjek agjendë përçarëse

12/04/2022 16:46

Komisioni i Rithemelimit, me vendimet që ka marrë së fundi po e thellon më tej krizën në Partinë Demokratike, sipas deputetit Helidon Bushati.

Rithemelimi ka zhvilluar zgjedhjet në disa qytete dhe do të vazhdojë në të gjithë vendin për të caktuar kryetarët e degëve të PD-së, sipas parimit një anëtar, një votë.

Megjithatë, Bushati, në mbledhjen e Grupit Parlamentar është shprehur se ky proces nuk është gjithë përfshirës. Më tej ai ka dhënë disa sugjerime se si mund të zgjidhet problem, sipas tij:

Të ndalohet procesi i zgjedhjeve në degë. Të shtyhet për një periudhe jo me shumë se 1 mujore derisa të ndërmerren hapa të integrimit të të gjitha grupimeve në këtë proces.

Gjate kësaj periudhe mund të vendosim të mbledhim një Kuvend gjithë përfshirës, le ta quajmë ‘Kuvend Pajtimi’ nga ku të dalim me mesazhe të qarta për të ardhmen tonë dhe rikthimin si alternativë qeverisëse“.

Nëse ky hap merr dakordësi, automatikisht duhet të tërhiqet padia e bërë në Gjykatën e Apelit dhe të mos fokusohemi në debate juridike”.

Ai shkon më tej, duke kërkuar të ndalohet dalja në televizione  e anëtarëve të grupit, “duke mbajtur qëndrime kontradiktore me njëri-tjetrin që evidentojnë dhe japin mesazhin se përçarja vazhdon”.

Ndërsa sipas Flamur Nokës, me doreëheqjen e Lulzim Bashës nga drejtimi i partisë, janë tërhequr dhe vendimet që ai ka marrë.

Bashkimi i demokratëve do të thotë rikthim në normalitetin e para 9 shtatorit. Ish-kryetari që mori vendimin individual pa pyetur institucionet, mori edhe faturën individuale me ikjen.

Bashke me të ikën çdo vendim qe ai ka marrë. Bashkim d.m.th tërheqje nga ankimimet në gjykata pasi  drejtimin e vendos vota”.

Noka, krahu i djathtë i Sali Berishës thotë se kryetari i komanduar Enkelejd Alibeaj po kontribuon në përçarjen e partisë më të madhe opozitare.

Pas datës 6 mars ne që dolëm shumicë kemi bërë thirrje vetëm për bashkim. Kryet grupit me ndonjë tjetër ka vazhduar agjendë tjetër përçarëse”, është shprehur ai.

Këtë të martë, nën drejtimin e Enkelejd Alibeajt, grupi parlamentar i PD po zhvillon mbledhje në selinë e PD.

Në mbledhje nuk kanë marrë pjesë, ish-kryedemokrati Lulzim Basha, si edhe deputetët Agron Gjekmarkaj, Grida Duma, Alfred Rrushaj, Flutura Açka, Belind Kelliçi, Dash Sula, Ferdinand Xhaferri, Bujar Leskaj dhe Agron Shehaj.

Pjesë e mbledhjes në selinë e PD-së, janë bërë edhe deputetët e grupit të rithemelimit, përfshi ish-kryeministrin Berisha. Gjithashtu janë pjesë edhe të përjashtuarit Flamur Noka, Edmond Spaho  dhe Luan Baci.

Një ditë më parë, kreu i grupit parlamentar të PD, Enkelejd Alibeaj shprehu edhe një herë qëndrimin e tij për Berishën ndërsa tha se ‘non gratat’ nuk kanë vend në parti. “Ju e dini cili është komenti im për non-grata dhe të tjerë non-grata. Komenti im është që non-gratat nuk duhet të kenë vend këtu”, u shpreh Alibeaj.

Top Channel