Ngritja e Bordit të Transparencës për karburantet ka shkaktuar debate mes qeverisë dhe opozitës, ku kjo e fundit e kundërshtoi ashpër me argumentin se nuk po mbron konsumatorin, po vazhdon të lejojë abuzimet në treg.

Abuzime që pranohen edhe nga vetë përfaqësuesit e qeverisë sipas të cilëve pikërisht për këtë arsye u pa e nevojshme ndërhyrja me këtë mekanizëm kontrollues që veç çmimit, po monitoron edhe rezervën e sigurisë.

“Bordi përcakton çmimet në treg, si dikur në kohën e komunizmit ku përcaktoheshin çmimet fikse. Çmimet duhet t’i përcaktojë tregu. Cilat janë arsye publike që ngritët Bordin”,  tha Enkelejd Alibeaj.

“ Së pari për të garantuar se nuk ndërpritet furnizimi pasi u vu re një rënie e importeve të karburanteve, për çmimet që u rritën në mënyrë flagrante. Ka pasur abuzime në treg edhe të faktuara konkretisht në datë 9 mars çmimi i naftës nisi me 243 lekë litri, dhe shkoi në 289 lekë litri dhe 290. Në treg duhet të jenë 90 ditë më shumë karburant”, tha Ilir Bejtja, zv.ministër i Infrastrukturës.

Bordi prej ditësh ka rishikuar metodologjinë e llogaritjes së çmimit tavan, duke përfshirë në të edhe kostot operative për kompanitë në 15 lekë për litër, pas ankesës së operatorëve se po dalin me humbje.

“Shumica ka marzh fitimi 3 lekë ndërsa pakica e ka fitimin 12 lekë për litër. Kërkesa për të përcaktuar një marzh fiks në lekë erdhi si kërkesë nga vetë kompanitë e shumicës dhe pakicës. Në fillim marzhi ishte në përqindje dhe shkonte 2.6 lekë për shumicën dhe pak më shumë për pakicën.” Ilir Bejtja, zv. ministër.

Bordi i Karburanteve do të funksionojë deri në përfundim të krizës. Aktualisht, me vendimin e fundit të tij në pikat e karburanteve që prej të premtes nafta shitet për 219 lekë, benzina për 209 lekë dhe gazi tregtohet për 115 lekë.

Top Channel