Civilët largohen nga lindja e Ukrainës prej ofensivës së pritur ruse (fotot)

12/04/2022 18:29

Guvernatori i rajonit të Luhansk nxiti sot njerëzit të evakuoheshin, teksa Vladimir Putin insistonte se Moska do të arrijë objektiva te saj “fisnike” në Ukrainë.

Ai i referohet sulmit të pritur në lindje të Ukrainës teksa guvernatori i Luhansk, Serhiy Gaidai, nxiste rezidentët të evakuoheshin me anë të korridoreve humanitare, shkruan e përditshmja britanike ‘The Guardian’.

“Është më mirë të largoheni sesa të vriteni në gjumë nga një bombë ruse. Merrni sendet kryesore dhe shkoni në pikat e transportit,” shkruante Gaidai në rrjetet sociale.

Sipas raportimeve Rusia ka vijuar goditjen me artileri të zonës industriale të Azovstal në Mariupol, ku marinsat ukrainas po bënin qëndresën e fundit për mbrojtjen e portit strategjik. Ky i fundit është kthyer tashmë në rrënoja pas rreth gjashtë javë bombardimesh.

Rusia besohet se kërkon të marrë Mariupolin për të lidhur Krimenë me territoret lindore të Donetsk e Luhansk, por qeveria e Kievit insiston se mbrojtja e qytetit do të vazhdojë.

“Po mbajmë lidhje të stabilizuara me njësitë e mbrojtjes që po qëndrojnë heroikisht,” tha sot komanda ushtarake e Ukrainës, duke shtuar se forcat ruse po godasin qytezën e Popasna, dy orë në perëndim të Luhansk, dhe se po përgatiten për ofensivën ndaj Kurakhove, pranë Donetsk.

Zv. ministrja e mbrojtjes Hanna Malyar tha se Kievi po kontrollonte informacionet e pakonfirmuara se Rusia mund të ketë përdorur armë kimike gjatë rrethimit të Mariupol, kryebashkiaku i të cilit thotë se 10,000 civilë janë vrarë deri tani.

“Ka një teori se mund të jenë përdorur armë kimike por informacionet do të vijnë më vonë”, tha”, tha Malyar. Forcat ruse dhe ato separatiste në lindje kanë mohuar përdorimin e armëve kimike.

Trupat ruse janë tërhequr nga rrethinat e kryeqytetit përballë rezistencës dhe në dukje problemeve logjistike sipas analistëve perëndimorë, të cilët thonë se ata po fokusojnë ofensivën e tyre drejt lindjes.

“Luftimet në Ukrainë do të intensifikohen në dy tre javët e ardhshme teksa Rusia do të rifokusojë përpjekjet aty”, tha sot ministria britanike e mbrojtjes.

Putin foli nga kozmodromi Vostochny ne Lindjen e Larget

Ndërsa Putin gjatë një vizite në Lindjen e Largët ruse tha se ushtria “padyshim do të arrijë” objektivat e saj në Ukrainë, në operacionin që synon “të forcojë sigurinë e Rusisë”.

Presidenti shtoi se Moska nuk kishte zgjedhje tjetër përveçse të niste operacionin sulmues më 24 shkurt. “Qëllimet e tij janë të qarta dhe fisnike,” tha Putin duke shtuar se objektivi kryesor është të shpëtojë popullin në rajonin pro-rus të Donbas.

“Nga njëra anë ne po ndihmojmë e shpëtojmë njerëz, nga ana tjetër po marrim masa për të forcuar sigurinë e vetë Rusisë. Ishte e qartë që nuk kishim zgjedhje tjetër, ishte vendimi i duhur”, shtoi ai.

FOTO GALERI
1/3
Guvernatori i rajonit të Luhansk nxiti sot njerëzit të evakuoheshin

Top Channel