Sali Berisha, teksa po largohej nga mbledhja e PD-së u shpreh për mediet se për të Enkelejd Alibeaj nuk është më kryetar i Grupit Parlamentar, me arsyetimin se “paditi në gjykatë partinë për interes të qeverisë”.

Për të qenë i hapur me ju, si njeri që isha shprehur për Alibajn, ndonëse me probleme të vërteta statutore, qenia e tij si kryetar grupi ishte me marzh tolerance të padiskutueshëm. Por pas vendimit të tij për të paditur PD-në për llogari të qeverise në gjykatë, ai për mua pushon së qeni kryetar i Grupit Parlamentar“.

Sipas Berishës, Alibeaj nuk ka asnjë tagër për të bërë padi të tilla, pasi nuk e ka funksionin e  kryetarit të partisë.

“Padia nuk ka asnjë bazë, është të mos pranosh një proces që sot nuk e kundërshton asnjë shqiptar”, tha ish-kryeministri.

Më herët gjatë mbledhjes në selinë blu, Alibeaj shprehu bindjen se Apeli do të zhbëjë atë vendimmarrje që sipas tij u mor nga gjyqtari në konflikt interesi dhe në shkelje të ligjit. Kreu i grupit parlamentar u shpreh se vendimi i dhënë nga gjyqtari Zhukri nuk është i formës së prerë. “Ti pushtove selinë e PD-së, do që të hiqesh si triumfator” iu drejtua Alibeaj ish-kryeministrit Berisha.

Në 25 mars, Partia Demokratike ka kallëzuar në SPAK për shpërdorim detyre gjyqtarin Agron Zhukri, për vendimin që mori për t’i dhënë Grupit të Rithemelimit statusin e organit drejtues të PD-së.

PD i kërkoi SPAK-it të administrojë kamerat e gjykatës, pasi pretendon se aty shihet qartë takimi i gjyqtarit Zhukri me një nga përfaqësuesit e Komisionit të Rithemelimit. Zhukri e ka caktuar seancën pas këtij takimi, thotë PD.

Në kallëzimin penal, PD sqaron se gjyqtari Zhukri nuk i ka lajmëruar për të marrë pjesë në seancë, megjithëse gjykata ka administruar kërkesat e PD përmes të cilave gjyqtari Zhukri është vënë në dijeni se kërkesa që ai kishte për të shqyrtuar ishte në kundërshtim me ligjin për partitë politike.

Top Channel