SHBA sanksione të ashpra Aqif Rakipit, djali i tij: Babai im është shumë i pastër, i gatshëm të lë mandatin

11/04/2022 17:04

Orlando Rakipi, djali i ish-deputetit Aqif Rakipit e quajti skandaloze vendimin e SHBA-së për vendosjen e sanksioneve të ashpra ndaj babait të tij.

Ai ka mohuar akuzat duke thënë se është i gatshëm të lërë mandatin e tij të deputetit.

“Nuk na ka ndodhur kurrë kjo gjë në familjen tonë, babai im është super i pastër, nuk ka asnjë veprimtari kriminale apo çfarë flitet. Nuk kemi lidhje, nuk e kuptoj pjesën kriminale, po jam i gatshëm të jap dorëheqjen, babai im është shumë i pastër, është diçka skandaloze”, tha ai.

Maxhoranca nuk pranoi të flasë jashtë ambienteve të Kuvendit, kur u pyet nga gazetarët për vendimin e Departamentit të Thesarit të SHBA-së.

Deputetja Blerina Gjylameti dhe Bledi Çuçi nuk pranuan të jepnin komentin e tyre, ndërsa hynë në ambientet e Kuvendit.

Kurse Belind Këlliçi dhe Edi Paloka u shfaqën të qeshur, duke kërkuar kohën e duhur për të lexuar vendimin.

Kujtojmë se këtë të hënë, SHBA-të kanë vendosur sanksione të ashpra ekonomike ndaj ish-deputetit socialist Aqif Rakipi dhe biznesmenit Ylli Ndroqi.

Në letrën e bërë publike nga Departamenti amerikan i Thesarit, ata akuzohen për përfshirje në veprimtari kriminale.

Top Channel