Sanksionohet sërish një ish-deputet i shumicës! Dënohet dhe pronari i “RTV Ora”

11/04/2022 19:40

Gabriel Escobar i dërguari special i DASH për Ballkanin Perëndimor në një prononcim për Top Channel te enjten, la të kuptohet se një valë re sanksionesh e vijim të shpalljes të të tjerë personave ‘non grata’ po afronte.

Dhe nuk kaluan as tre ditë. Te hënën pasdite dolën dhe dy emra te tjerë. Ndryshe nga vendimi për familjen e Sali Berishën në majin e vitit 2021, përcaktimi i sanksioneve ndaj dy shtetasve shqiptare, erdhi këtë radhë nga Departamenti Thesarit. Aqif Rakipi dhe Ylli Ndroqi janë në listën e 7 personave nën sanksione ekonomike, së bashku me politikanë e biznesmenë nga Ballkani Perëndimor.

Sanksionet përfshinë të gjitha pronat apo interesat e pronave të vënëve nën sanksion, që janë apo lidhen në SHBA apo janë apo nën posedim apo kontroll nga një person në SHBA. Këto prona duhet të bllokohen dhe raportohen në Thesarin Amerikan.

Por për ish-deputetin e PDIU, Aqif Rakipi dhe Ylli Ndroqin, pronar i  “Radio Televizionit Ora News” më të rënda sesa ndëshkimet, ishin përcaktimet e bëra publike nga shteti amerikan.

Aqif Rakipi (Rakipi) është një ish-deputet famëkeq nga Elbasani, Shqipëri, i cili ka ndikim të dëmshëm dhe destabilizues në proceset politike në Shqipëri. Grupe të shumta të krimit të organizuar, në Shqipëri kanë ofruar para, dhurata ose premtime për vende pune apo lëshime në këmbim të votave për partinë e tyre të preferuar politike. Rakipi ka qenë prej kohësh i përfshirë në krimin e organizuar dhe është i lidhur ngushtë me një Grup Krimi të Organizuar, brenda të cilit ai ka ushtruar ndikim politik, përfshirë edhe përmes korrupsionit. Për shembull, Rakipi ka përdorur ndikimin e tij politik për të emëruar miqtë e tij në pozicione kyçe publike në Elbasan dhe Tiranë. Rakipi humbi mandatin e tij si deputet i parlamentit të Shqipërisë pasi prokurorët konfirmuan rolin e tij në veprimtari kriminale nën një pseudonim.

Aqif Rakipi përcaktohet në bazë të Urdhrit Ekzekutiv 14033 sepse ka qenë përgjegjës ose bashkëpunëtor në ose për përfshirje të drejtpërdrejtë ose të tërthortë në korrupsion lidhur me Ballkanin Perëndimor, përfshi korrupsionin nga, në emër të, ose të lidhur me një qeveri në Ballkanin Perëndimor.

Ylli Ndroqi pronar i “Radio Televizionit Ora News” është i dyti në radhë në listën e Shqipërisë, por i pari nder me gjase, jo te fundit pronare mediesh qe mund te ndëshkohen me sanksione nga Qeveria amerikane. Përshkrimi i ndëshkimit nga departamenti i thesarit, për të, ishte gjithashtu i ashpër.

Ylli Ndroqi është një pronar mediesh, pasuritë e të cilit u sekuestruan nga qeveria shqiptare në vitet 2020 dhe 2021 për veprimtari të mëparshme kriminale. Ndroqi ka shfrytëzuar mediet që më parë kanë qenë nën kontrollin e tij për të zhvatur dhe shantazhuar qytetarë shqiptarë nëpërmjet kërkesave për para dhe blerjeve të reklamave në këmbim të mospublikimit të artikujve negativë në media.

Teksti për Ylli Ndroqin, ashtu si për Aqif Rakipin, futet në akuza konkrete.

Gjithashtu, Ndroqi ka ndërmjetësuar ryshfete për llogari të një subjekti që kërkonte të bënte biznes në Shqipëri. Ndroqi përcaktohet në bazë të URDHERIT EKZEKUTIV 14033 sepse ka qenë përgjegjës ose bashkëpunëtor në ose për përfshirje të drejtpërdrejtë ose të tërthortë në korrupsion lidhur me Ballkanin Perëndimor, përfshi korrupsionin nga, në emër të, ose të lidhur me një qeveri në Ballkanin Perëndimor, apo një zyrtar aktual ose të kaluar qeverie, në çfarëdo niveli të qeverisjes në Ballkanin Perëndimor.

NE BAZE te këtij urdhri ekzekutiv, të gjithë anëtarët e familjeve të tyre, nga sot krahas moslejimit te hyrjes ne territorin e shteteve te bashkuara, vendosen edhe nën sanksione ekonomike. Brian E. Nelson Nën-Sekretari i Thesarit për Terrorizmin dhe Inteligjencën Financiare, tha se  “Personat e përcaktuar sot përbëjnë një kërcënim serioz për stabilitetin rajonal, besimin në institucione dhe aspiratat e atyre që kërkojnë qeverisje demokratike dhe të shëndoshë në Ballkanin Perëndimor”,

“Lufta kundër korrupsionit në mbarë botën theksoi Nelson, është përparësi kryesore e administratës Biden-Harris dhe Thesari nuk do të ngurrojë të përdorë të gjitha mjetet që kemi në dispozicion për të mbajtur përgjegjës aktorë të korruptuar dhe destabilizues”.

Personat e tjerë të sanksionuar ekonomikisht dhe financiarisht, janë Asim Sarajlic, deputet boshnjak, Gordana Tadic, ish-kryeprokurorja e Bosnjës, Nikola Gruevski ish-kryeministër i Maqedonisë së Veriut, Sasha Mihajlov, ish-shefi i shërbimeve sekrete te Shkupit dhe Svetozar Marovic, ish-presidenti i fundit i Serbi Mali i Zi, deri në vitin 2006.

 

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA