Rama pas takimit me Scholz: Shpresoj të liberalizohen vizat për Kosovën, proces i bllokuar prej vitesh

11/04/2022 18:56

“Shpresoj shumë që Gjermania përveçse të bëjë pjesën e saj për sa i përket përmbushjes së procesit, të përmbushë dhe procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën, një proces i bllokuar prej vitesh”, u shpreh Rama.

Më tej ai u ndal te nisma e Ballkanit të Hapur, që tha se është një rijetëzim i procesit të Berlinit në Ballkanin Perëndimor për të siguruar lëvizjes e lirë të njerëzve, mallrave dhe shërbimeve.

“Procesi i Berlinit është një vizion i rëndësishëm për rajonin tonë. E informova kancelarin dhe për Ballkanin e hapur, që nuk është gjë tjetër veçse përpjekje për të përvetësuar Procesin e Berlinit, për të jetësuar në Ballkan lirinë e lëvizjes së njerëzve, mallrave dhe shërbimeve”, tha kryeministri.

Pjesë e nismës “Open Balkan” janë Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut. Në takimet që kanë zhvilluar, krerët e tre shteteve janë dakordësuar për disa pika, që përfshijnë lehtësime në kufi, treg të përbashkët dhe të lirë pune mes tre vendeve. Megjithatë kësaj nisme nuk po i bashkohet Kosova, Mali i Zi dhe Bosnja Hercegovina. Qeveria e Kosovës, nën udhëheqjen e Albin Kurtit, mendon se iniciativa e kësaj nisme, sipas tij “mini-Shengen” është nismë pa vizion për rajonin.

 

 

Top Channel