Me Kombëtaren Italiane dështoi të shënojë qoftë edhe një gol në Play Off kundër Maqedonisë së Veriut, megjithatë në kampionat Ciro Immobile po ecën me një ritëm për t’u pasur zili, pasi kryeson renditjen e golashënuesve me 24 të tillë deri në këtë fazë të kampionatit.
Viktima e radhës e sulmuesit italian ishte Genoa, ndaj të cilës shënoi 3 gola në fitoren e Lazios 1-4, duke marrë në shtëpi edhe topin e ndeshjes, teksa ai që e ka vuajtur më shumë këtë goleadë, është padyshim trajneri gjerman i ligurëve, Alexander Blessin.
Që prej emërimit të tij në pankinën e Genoas, kuqeblutë kishin pësuar vetëm 3 gola në 9 ndeshje, me një mesatare për t’u admiruar prej 0.3 golash në ndeshje, megjithatë gjithçka u shkatërrua pasditen e djeshme ndaj Lazios, ku në një takim të vetëm pësoi 4 gola, pra më tepër se në 9 sfidat paraardhëse.
“Katër gola janë shumë. E nisëm mirë ndeshjen, por më pas morëm disa vendime të gabuara. Kishim një mundësi me Piccolin, ku duhej një karton i kuq, por VAR-i nuk ndërhyri. Më pas u ndëshkuam nga episodet dhe humbën përqendrimin”, deklaroi trajneri gjerman, që sheh t’i prishet rekordi.
Top Channel