Policët e pikës kufitare të Morinës që u arrestuan për korrupsion dhe shpërdorim detyre janë lënë në burg, me vendimin e sotëm të Gjykatës së Posaçme.

GJKKO konfirmoi masën arrest me burg për 16 policë, arrest shtëpie për 12 të tjerë,  pezullim detyre për 4 efektivë, dhe masën arrest shtëpie për dy qytetarë.

Efektivët janë arrestuar me urdhër të prokurorisë së posaçme SPAK për akuzën e korrupsionit dhe shpërdorimit të detyrës.

SPAK njofton se ndaj tyre kishte nisur një hetim që më nëntor të vitit 2020 për Korrupsion pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike. Gjatë hetimit u faktuan 312 raste të korrupsionit, kontrabandës me mallrat e akcizës, dhe lejim për kalim të paligjshëm të kufijve.

Policët janë mbajtur në përgjim për një periudhë të gjatë kohore gjatë së cilës janë konstatuar rastet të shumta korruptive, duke detyruar shtetas shqiptar dhe të huaj që të paguanin shuma të ndryshme parash për kalimin nga Shqipëria në Kosovë dhe anasjelltas.

Por edhe kanë kryer regjistrime fiktive për hyrjen dhe daljen në territorin shqiptar; si dhe ndihmonin persona të tjerë që kishin probleme me ligjin, të cilët nuk regjistroheshin në sistemin TIMS, pasi nuk lejohej udhëtimi i tyre për në Kosovë dhe anasjelltas.

Nga 34 masat e ekzekutuara 32 i përkasin policëve të Policisë Kufitare të Kukësit duke përfshirë edhe Drejtorin e kësaj Drejtorie. Ai akuzohet për “Shpërdorimi detyre”,“Korrupsion pasiv në bashkëpunim,  dhe Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike.

 

Top Channel