Tirana do të ketë një stadium të mbyllur për atletikën.
Kryetari i bashkisë Tiranë përmendi disa investime qe do të bëhen në sport teksa priti në një takim presidentin e Federatës Europiane të Atletikes dhe i tregoi solidaritetin e qytetarëve shqiptarë ndaj shtetasve ukrainas që kanë mbërritur në vendin tonë.
“Sporti i bashkon njerëzit! Për shkak të luftës në Ukrainë, një pjesë e skuadrës së atletikës së Ukrainës është strehuar në Shqipëri. Atë që kemi bërë me hebrenjtë, me vëllezërit tanë nga Kosova, atë që bëmë me afganët, atë që bëmë me iranianët, po e bëjmë tani edhe me qytetarët e Ukrainës. Për nënat me fëmijë sidomos”, shprehet Veliaj.
Bashkia e Tiranes ka investuar në shumë ambiente sportive por të tjera janë në proces.
“Mandatin tjetër duam të bëjmë një stadium të mbyllur të atletikës, ashtu siç duam të rinovojmë dhe të rikonceptojmë stadiumin ‘Selman Stërmasi’ dhe pallatin e sporteve ‘Asllan Rusi’, pra janë tre projekte madhore në sport. Muajin tjetër do të marrim në dorëzim pishinat e Tiranës; edhe Federatës së Notit t’i japim atë që meriton, pasi ka mbaruar kontrata 20-vjeçare atje. Pra, gjëra po vijnë aty ku duhet, në vendin e tyre, ku federatave, sportit, talenteve, u japim asetet që të zhvillojnë aktivitetin e tyre”, thotë Veliaj.
Kryebashkiaku nënvizoi faktin se Bashkia e Tiranës ka vendosur një standard, duke dhënë mesazhin se i kushton rëndësi sportit e nuk nuk lejon federatat të vjedhin zgjedhjet apo të shesin ndeshjet.
Top Channel