Rithemelimi, zgjedhje në PD/ Gara për kryetar në Kukës, Irel Elezi kërkon postin që mbante vëllai

10/04/2022 19:52

Dy vëllezërit Elezi nuk i lidh vetëm mbiemri. Ibseni ka drejtuar në të shkuarën degën e PD-së në Kukës për katër vite, ndërsa Ireli shpreson të ecë në hapat e të vëllait.

Është hera e parë që garoj në garën për kryetar në këto momente të rëndësishme për PD-në”, thotë Ireli.

Por, ish-kreu i degës Kukës nuk është aq entuziast sa i vëllai për procesin që po organizohet në bazë nga Sali Berisha.

Berisha po shkel Kuvendin e 11 Dhjetorit. Kjo do thotë mos arrish të kuptosh  se  rregullat lojës, pastërtia, hapja, transparenca, proceset e debatit për statutin,  kandidaturat janë ato që do ngrenë frymën”, shprehet Ibseni.

“Unë kam kërkuar të kemi primare, ua kam shtruar si kërkesë anëtarëve të Rithemelimit, pasi demokratët e Kukësit e mirëpresin. Përgjigja ka qenë se koha ka qenë e limituar dhe nuk na premton të bëjmë fushatë të rregullt me primare”, thotë Irelli.

Pavarësisht shkeljes së rregullave dhe kritikave të vëllait, Ireli është i vendosur t’i shkojë deri në fund garës:

“Jam dakord me kritikat e tij, por unë do marr pjesë edhe pse nuk bëhen primaret. Duhet të bëjmë çfarë është premtuar demokratëve, sepse ka të bëjë me besimin brenda familjes, nëse nuk e  bëjmë do jetë shumë e vështirë  t’u kërkojmë besimin shqiptarëve”.

Kjo është pika ku Ireli dhe Ibseni  bashkohen. Ndaj edhe nëse fiton apo humb i vëllai, kjo nuk ndryshon asgjë për ish-zyrtarin demokrat, i cili po përgatit fjalimin e tij kritikues për Kuvendin e 30 Prillit.

“Por sa më përket mua në raport me Komisionin  apo  dhe individ do flas edhe më 30 prill madje do flas me emra konkret qoftë nga Lul Basha qoftë nga Sali Berisha dhe do u them mos t’i votojnë”, thotë Ibseni.

Komisioni i Rithemelimit parashikon që deri më 20 prill të mbyllë procesin e  zgjedhjes së strukturave të reja në bazë, ndërsa në fund të muajit për Berishën dhe mbështetësit e tij mbyllet përfundimisht kapitulli Basha me zgjedhjen e kupolës së re drejtuese.

Top Channel