Ditën e enjte u nda nga jeta ish futbollisti italian, Emiliano Mascetti, i cili është edhe një legjendë e klubit të Veronës, ndaj këta të fundit kërkuan lejen që të luajnë me shirit të zi në sfidën përballë Interit pasditen e djeshme.
Por ndonëse morën miratimin nga Liga italiane, sërish futbollistët e Veronës nuk zbritën me shirit të zi në krah dhe shkak për këtë u bë një pakujdesi e magazinierëve të klubit.
Këta të fundit harruan në hotel shiritat e marrë për t’u vendosur në krah të lojtarëve dhe u kujtuan pak para nisjes së sfidës, kur ishte e pamundur që të shkonin e t’i merrnin sërish.
Në këtë mënyrë, iniciativa e Veronës dështoi, ndërsa klubi reagoi publikisht, duke kërkuar ndjesë për atë që ndodhi, pikërisht nëpërmjet presidentit Maurizio Setti.
“Kam një mesazh për të gjithë tifozët dhe qytetin e Veronës. Ishim përgatitur të nderonim më së miri figurën e legjendës së klubit, Mascetti, megjithatë harruam shiritat e zinj në hotel. Bëhet fjalë për një pakujdesi, por për fat të keq ndodhi. Dërguam dikë menjëherë për t’i marrë, por nuk arriti të vijë para fillimit të ndeshjes. Më vjen shumë keq dhe u kërkoj falje si tifozëve të Veronës, ashtu edhe familjes së Emiliano Mascettit”, u shpreh presidenti Setti.
Top Channel