Roula e tradhtonte me të afërmin e tij, burri e rrahu tre herë para vajzës/ Detaje të reja nga vrasja e tre fëmijëve në Greqi

09/04/2022 11:31

Të tjera detaje janë zbardhur nga ngjarja e rëndë në Greqi, ku Roula Pispirigou akuzohet për vrasjen e tre vajzave të saj, ndërsa nën hetim të vazhdueshëm po merret edhe babai, Manos Daskalakis.

Sipas Protothema.gr, Roula Pispirigou kishte një lidhje jashtëmartesore me një të afërmin e tij, dhe kjo ishte arsyeja e mosmarrëveshjeve mes çiftit.

Gazetari grek George Anastasopoulos ka zbuluar se lidhja jashtëmartesore e Roula Pispirigou ka ndodhur para lindjes së Irisit, e cila vdiq vetëm disa muajshe.

Sipas tij, Manos Daskalakis ka rrahur Roula Pispirigou të paktën tre herë në sy të vajzës së tyre të madhe, Georgias.

Ditën e djeshme, Manos Daskalakis  konfirmoi tradhtinë e gruas. “U largova nga shtëpia sepse mora vesh se gruaja ime kishte gjetur një burrë tjetër, gjë të cilën ajo ma konfirmoi”, raportohet se ka thënë ai para hetuesëve.

Tri vajzat e familjes të moshës nga gjashtë muaj deri në nëntë vjeç, ndërruan jetë në një hark kohor prej 2 vitesh në mënyrë misterioze. Pispirigou u akuzua pasi testet toksikologjike zbuluan praninë e ketaminës, një anestezi e përdorur kryesisht nga veterinerët në Greqi, në trupin e vajzës së saj të madhe Georgina, e cila vdiq në janar. Një hetim paraprak është hapur edhe për vdekjen e dy vajzave të tjera të Pispirigou dhe atë të pronares së shtëpisë në Patras në vitin 2020.

E dyshuara kryesore  i mohon të gjitha fajet, ndërsa ndodhet pas hekurave.

Top Channel