Paralajmëroi arrestim tjetër? Rama shpjegon fjalën e tij në Kongresin e PS: Larg qoftë të ketë nga ana ime!

09/04/2022 19:11

Në konferencën për mediat, Kryeministri Edi Rama ka shpjeguar fjalën e tij në Kongresin e PS duke thënë se nuk paralajmëroi asnjë arrestim tjetër. Pa emra konkretë, Rama tha gjatë fjalës së tij në kongres së shqiptarët nuk duhet të habiten nëse shohin kryeministrin te dera e SPAK me ndonjë “prej veshi”.

Edi Rama: Jo, besoj që fjala ime nuk ishte fjalë për të lajmëruar arrestime, larg qoftë nga ana ime. Por desha dhe dua të them që sigurisht është e patolerueshme që PS dhe zgjedhësit e saj të hahen pas shpine ashtu sikundër është e pamundur që kushdo qoftë të kërkojë mbrojtje nga PS apo nga unë. Përkundrazi, gjithsekush duhet të mbrojë PS, edhe të gjithë ata që i kanë dhënë besim.

Kur fola për të marrë prej veshi ndonjërin e për ta çuar atje, kjo nuk ka të bëjë me mua apo qeverinë, por me drejtësinë dhe nëse unë personalisht do të kisha indicie të kësaj natyre, do të bëja atë që duhet të bëjë cdo qytetar. Nuk kam në plan të arrestoj asnjeri se lavdi i Zotit jemi në demokraci dhe kryeministri nuk është as prokuror, as gjykatës dhe drejtësinë nuk e bën qeveria, as partia.

Top Channel