Greqi rekord inflacioni me 8.9%/ Në mars çmimet u rritën me 2,7 përqind, ulet rritja ekonomike

09/04/2022 12:12

Vetëm dy ditë pas grevës së përgjithshme kur mijëra grekë kanë protestuar për rritjen galopante të çmimeve dhe valën e shtrenjtësisë që po merr formën e një cunami, Greqia ka regjistruar rekord 27-vjeçar inflacioni, i cili duket se është tashmë jashtë kontrollit pasi ka shkuar në 8.9% në muajin mars  nga 7.2%  që shkoi në muajin shkurt të këtij viti.

Sipas të dhënave që ka publikuar Instituti Kombëtar I Statistikave rritjet me të larta të çmimeve janë – 68,3% tek gazi natyror në lidhje me vjet , 79,3%  tek energjia elektrike, 58,5% tek nafta për ngrohje, 29% tek karburantet.

Një prej fakteve më shqetësues është se çmimet janë rritur në krahasim me një muaj më parë me 2.7% që është shifra më e lartë në dhjetë vitet e fundit.

Sa u përket artikujve ushqimorë rritje çmimesh janë regjistruar tek vajrat me 19,9%, perimet me 13%, frutat e freskëta me 7,8%, buka dhe drithërat me 7,6% dhe mishi me 6,4%.

Por edhe në sektorin e shërbimeve, me 26,8% janë rritur biletat e avionit, 16% ato të anijeve dhe 18,5% kostoja e akomodimit në hotele.

Në listën e gjatë të çmimeve që kanë pësuar ndryshim veçohet grupi i ushqimeve dhe pijeve jo alkolike me rritje 8.1% , 6.5% veshjet dhe këpucët, 29.9% sektori i banesave për shkak të rritjes së qirave dhe 15,4% grupi i shërbimeve të transportit.

Sipas guvernatorit të  Bankës së Greqisë vërtet që ekonomia e vendit  do të regjistrojë një rritje pozitive për vitin 2022 , por ajo nuk do të jetë në nivelin e parashikuar prej 4.8% ,por do të qëndrojë midis 2.8 deri në  3.8% ,ndërsa edhe inflacioni për gjithë këtë vit  sipas skenarit më të keq do të jetë në 7%.

Top Channel