Abuzim me 1 mln dollarë, vihet në pranga sekretari i qeverisë maqedonase

09/04/2022 14:11

Sekretari i deritanishëm i qeverisë maqedonase Muhamed Zeqiri është dërguar në burgun e Shkupit, pasi Gjykata Themelore i dha masën e paraburgimit për 30 ditë.

Arsyeja që çon prapa hekurave zyrtarin e lartë në vendin tonë fqinj janë dyshimet për shpërdorim të detyrës dhe autoritet zyrtar, të lidhura me abuzimet mbi një kontratë për shërbime konsulence.

Gjyqtari i procedurës paraprake vendosi masën e paraburgimit pasi sipas tij “ekziston rreziku i arratisjes, zhdukjes të gjurmëve apo ndikimit të dëshmitarëve, si dhe rrezikut që ky person ta përsërisë shkeljen”.

Prokuroria dyshon se pa procedurë prokurimi publik, sekretari i qeverisë  në periudhën nga prilli 2021 deri në janar 2022, ka lidhur me një kompani një kontratë për shërbime konsulence që kap vlerën e përgjithshme prej rreth 941,985 euro, e që në fakt, është rreth 147,000 më shumë se vlera e parashikuar.

Vepra dyshohet të jetë kryer së bashku me dy shtetas kroatë, të cilëve gjithashtu iu dha e njëjta masë, por për shkak se nuk ndodhen në Maqedoninë e Veriut, paraburgimi do të hyjë në fuqi pas ndalimit të tyre.

Pas njoftimit të Prokurorisë për hapjen e hetimeve, Zeqiri dha dorëheqje të parevokueshme nga posti i sekretarit të Përgjithshëm.

Në njoftimin e publikuar, ai tha se ka besim se do të vërtetojë pafajësinë e tij.

Dorëheqja është pranuar nga kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, i cili tha se e respekton vendimin si akt të përgjegjësisë politike dhe shtoi se pret një hetim plotësisht transparent dhe të pavarur nga Prokuroria dhe drejtësia.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA