Sulmuesi më i kërkuar në Europë për momentin, Erling Haaland ka “injoruar” Manchester United.
Norvegjezi ende nuk e ka përcaktuar të ardhmen e tij pasi të mbyllë eksperiencën me Borussia Dortmund, mirëpo për diçka është i qartë; Nuk do të veshë fanellën e Djajve të Kuq në sezonin pasardhës.
Haaland e sheh me shumë dyshim situatën në klubin e Manchesterit, me këta të fundit që po vuajnë të rikthehen konkurrues për trofetë më të rëndësishëm dhe ndaj për karrierën e tij sheh më të përshtatshëm një tjetër destinacion. Sipas ESPN, përfaqësues të lojtarit ia kanë bërë të qartë United vendimin dhe për të mbyllur në atë pikë çdolloj negociate.
Tashmë, në garë për bomberin janë Manchester City dhe Real Madrid, por The Citizens janë më të favorizuar në këtë garë, teksa janë të gatshëm ta shndërrojnë norvegjezin në futbollistin më të paguar në ishull. Nga ana tjetër, madrilenët kanë si objektiv kryesor Kylian Mbappe, një operacion që do t’iu kushtojë një pasuri të tërë, ndaj janë disi të limituar mbi shpenzimet për Haaland.
Prej janarit të vitit 2020, kohë kur Haaland u transferua te Dortmund nga Salzburg, sulmuesi ka shkëlqyer duke shënuar 80 gola në 83 paraqitje me verdhezinjtë, teksa ka një klauzolë prej 63 milionë paund.
Top Channel