Dilemat për amnistinë/ Ekspertët kundër, por edhe maxhoranca e paqartë: E di kryeministri

08/04/2022 19:57

“Me këtë argument, kryeministri Rama rikthen sërish idenë për amnistinë fiskale e penale për emigrantët. Drafti i vjetër qëndron ende në sirtarët e Kuvendit, pasi hasi kundërshtimin e Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Komisionit Europian sipas të cilëve kjo nismë mund të shërbejë si instrument për legalizimin e parave të drogës e korrupsionit.”

Nisma sfidon hapur organizmat ndërkombëtarë që  kritikojnë atë dhe Money Val që rendit Shqipërinë, akoma në listën gri të pastrimit të parave, pra te vendeve te rrezikuara nga fenomeni i pastrimit te parave te pista.

Qeveria këmbëngul se qëllimi është ligjërimi i parave e aseteve të emigrantëve.

Por ekspertët janë skeptikë. Skema për ta, është vetëm një kamuflim duke përdorur emigrantet, dhe se qasja duhet të jetë e kundërta, luftë ndaj evazionit.

“Nëse bëhet, nuk ka lidhje fare me emigrantët sepse ata janë njerëz të punësuar dhe shumë pak prej tyre kanë ndonjë biznes të vogël dhe paratë e likuiditeti iu duhet në vendin ku kanë biznesin. Nëse ata kanë para ligjore i kanë në banka, s;kanë pse i amnistojnë. Ne nuk kemi shqiptarë me para të qenësishme jashtë që ti sjellin këtu dhe rrogat e emigrantëve nuk mblidhen aq shumë.”

Për Guxhollin, amnistia mund të sjellë para të shpejta në buxhet, por dëmet janë më të mëdha se përfitimet.

“Amnistitë bëhen një herë në 20 vjet kur është krijuar një problem i madh në një ekonomi që s’ka pasur strukturë ligjore dhe për t’i tërhequr paratë ndërmarrin një nismë të tillë. Bëhet një herë ose 2 herë në jetën ekonomike 50 apo 80 vjeçare. Duke ligjëruar të paligjshmit, amnistia nxit edhe të ligjshmit të përfitojnë nga lehtësitë e tatimin e ulët.”

Amnistia fiskale nuk është e panjohur për Shqipërinë. Ideja e një nisme të tillë daton që prej vitit 1999 e propozuar nga presidenti i asaj kohe Rexhep Mejdani, por për shkak të mos arritjes së një konsensusi mes palëve mbeti thjesht një propozim.

Ajo u pasua me një amnisti e pjesshme fiskale të iniciuar nga kryeministri Sali Berisha e cila do t’u mundësonte qytetarëve e biznese të bënin rivlerësimin e pasurive të paluajtshme me tarifë të reduktuar, e cila po zbatohet edhe aktualisht nga qeveria Rama. Po atë kohë, qeveria Berisha fali edhe borxhin tatimor e doganor për bizneset.

Në vitin 2011 ishte Ritvan Bode ai që do të hidhte më pas idenë për një amnisti fiskale, por nisma dështoi pasi nuk mori mbështetjen e të gjitha palëve.

Në 2015 socialistët sjellin një tjetër lloj amnistie. Shkëlqim Cani që drejtonte në atë kohë ministrinë e Financave zbatoi një  falje fiskale për faljen e penaliteteve për mosdeklarimin e mallrave pa faturë nga bizneset.

Ndërsa sot, socialistët me në krye Edi Ramën hedhin idenë e një amnistie fiskale dhe penale, ku fokusi sipas tyre do të jetë legalizimi i parave të padeklaruara të emigrantëve, duke lënë jashtë skemës zyrtarët e funksionarët e lartë të shtetit.

Momenti në të cilën nisma rikthehet për diskutim e gjen ekonominë përballë goditjes së tretë në pak kohë, tërmeti, pandemia e së fundmi kriza e rritjes së çmimeve.

Nevoja për mbushur arkën e shtetit me ca para shtesë është madhe, por mënyra se si do të funksionojë kjo skemë nuk bëhet ende e qartë.

Ashtu siç nuk është e qartë nëse kjo amnisti do jetë e tillë, apo spektri i saj do zgjerohet rrugës. Rrugën për këtë tha Rama do ta gjejmë shpejt. Një rrugë që gjithsesi nuk pritet të jetë e lehtë.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA