Qytetarët e Vlorës sërish në protestë, kundërshtojnë projektin e ri në sheshin e Flamurit: Kjo është zhdukja e historisë së një kombi

07/04/2022 17:38

Qytetarët e Vlorës dhe shoqëria civile janë sërish në protestë ditën e sotme pranë sheshit të flamurit në Vlorë.

Kjo është protesta e dytë e zhvilluar në Vlorë pas asaj të ditës së dielë, e cila po kështu u zhvillua në sheshin e Flamurit.

Këto protesta kanë si qëllim kundërshtimin e projektit që do të zhvillohet në sheshin e Flamurit, pasi sipas banorëve po tjetërsohet historia.

Në këtë projekt nga banorët kërkohet transparencë edhe për fondet publike.

Dhjetëra qytetarë janë mbledhur pranë monumentit të pavarësisë, të cilët më herët kishin kërkuar që të prishej një godinë disakatëshe e ndërtuar në sheshin historik.

Kërkesa e tyre për prishjen e objektit mirë që nuk u plotësua por tashmë aty po ndërtohet edhe një projekt i ri, i cili sipas qytetarëve është një stacion autobusi.

“Aty është një gërmadhë e vërtetë, shikoni si është aty, kjo është zhdukja e historisë së një kombi. Kam ardhur në këtë tubim paqësor për të protestuar sepse këtu jemi mbledhur çdo 28-nëntor dhe ky projekt po na shqetëson sepse është një ndërhyrje shumë e gabuar. Nuk na kanë pyetur fare.”- tha njëri nga banorët.

Ndërkohë në protestë nuk ndodhen vetëm qytetarë nga Vlora por edhe nga qytetet e tjera të Shqipërisë. Një qytetar nga Tirana është i pranishëm gjithashtu në protestë, i cili u shpreh se siç ndodhi si sot para shumë vitesh pushtimi italian, tashmë po pushtohet sërish sheshi i Flamurit në Vlorë.

“Banoj në Tiranë, kemi ardhur për të mbështetur patriotët e Vlorës se i është zaptur sheshi i flamurit. Sot është një ditë e zezë për Shqipërinë se me 7 Prill ka ndodhur pushtimi fashist ndërsa tani po e pushtojnë këta. I bëj thirrje drejtësisë për të pastruar mbeturinat.”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA