Na dërgoni armë tani, para se të jetë vonë”/ NATO: Do të shtojmë mbështetjen për Ukrainën

07/04/2022 20:09

“Na dërgoni armë tani , ose në të kundërt do të jetë shumë vonë”, kjo ishte kërkesa urgjente e ministrit të jashtëm ukrainas pas takimit me ministrat e jashtëm të NATO-s Bruksel.

Kuleba paralajmëroi se shkalla e çdo sulmi të afërt rus në Donbas do t’u kujtojë aleatëve të NATO-s Luftën e Dytë Botërore.

Kuleba: Na ndihmoni tani, dhe unë po flas për çështje ditësh, jo për javë. përndryshe ndihma juaj do të vijë shumë vonë, shumë njerëz do të vdesin, shumë civilë do të humbasin shtëpitë e tyre, shumë fshatra do të shkatërrohen. Pikërisht sepse kjo ndihmë erdhi shumë vonë.

Kuleba tha se tani po kuptohet gjithnjë e më shumë se Ukraina nuk po lufton vetëm për sigurinë e saj, por për atë të vendeve të aleancës së NATO.

Kuleba: Ju na siguroni gjithçka që na nevojitet dhe ne do të luftojmë për sigurinë tonë dhe sigurinë tuaj, në mënyrë që Presidenti Putin të mos ketë mundësi të testojë Nenin 5 të aleancës.

Pas deklaratës së ministrit të jashtëm , shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg tha se aleanca sigurisht që do ta ndihmojë Ukrainën, por iu shmang një përgjigjeje konkrete për specifikën e armëve që NATO do dërgojë në Ukrainë.

Stoltenberg: E kuptoj që doni një përgjigje specifike për llojet e armëve. Por mendoj se është e rëndësishme të kuptohet se është më mirë të mos jemi specifik por jini të sigurt se aleatët po ofrojnë një gamë të gjerë sistemesh mbrojtjeje. NATO e ka mbështetur Ukrainën për shumë vite që nga aneksimi i paligjshëm i Krimesë dhe pushtimi i parë i Rusisë në vitin 2014 edhe në Donbas dhe do vazhdojmë ta bëjmë.

Stoltenberg paralajmëroi gjithashtu se Lufta mund të zgjasë për muaj dhe ndoshta vite, teksa shtoi se NATO do të ndihmojë gjithashtu vendet e tjera partnere, duke përfshirë Gjeorgjinë dhe Bosnje-Hercegovinën, për të përforcuar aftësinë e tyre për të mbrojtur veten.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA