Florian Marku shkëlqeu në ringun ‘Utilita Arena’ të New Castle të shtunën, por përballja me uellsianin Chris Jenkins nuk ishte e lehtë.
Në një intervistë për “Shqipëria live”, Marku rrëfeu për momentin e vështirë kur u godit në kokë.
“Ndeshja përfundoi me shumë sukses në raundin e katërt. Në raundin e tretë, u goditëm me kokë dhe u çava te syri. U frikësova se nuk po shikoja mirë nga syri, kisha frika se gjyqtari do e ndërpriste”.
Ai shprehet i kënaqur që ka mundur një nga boksierët më të njohur në Angli dhe është i vendosur për t’u përballur me më të fortët.
“Është një nga kundërshtarët më të respektuar, ka pasur titullin e Mbretërisë së Bashkuar. I tregova publikut anglez se kam ardhur për të qëndruar dhe për t’u përballuar me të gjithë”.
3500 persona ishin të pranishëm në këtë përballje, një pjesë e mirë e të cilëve ishin shqiptarë dhe Florian marku nuk i zhgënjeu aspak bashkëkombasit e tij. Në dy raundet e para u pa që të dy boksierët ishin të kujdesshëm, ndërkohë që në raundin e tretë Marku pësoi një të çarë në vetull pas përplasjes me kundërshtarin e tij. Ishte pikërisht ky moment kur Marku vendosi të marrë frenat e duelit në dorë duke shtuar goditjet në drejtim të Jenkins dhe në raundin e katërt e hodhi në Knockout duke i dhënë fund kësaj ndeshjeje pas vetëm 10 minutash dhe entuziazmi i shqiptarëve të pranishëm në Utilita Arena ishte në nivelin më të lartë.
Top Channel