Takimi me Alibeajn, Grupi i Rithemelimit: Kim shkelmoi vendimin e gjykatës dhe injoroi vullnetin e zgjedhësve

05/04/2022 16:04

Grupi i Rithemelimit ka reaguar pas takimit të ambasadores Yuri Kim me Enkelejd Alibeajn duke thënë se shkelmoi vendimin e gjykatës. Për këtë bazohet në vendimin e javës së shkuar kur gjykata njohu Komisionin e Rithemelimit si organ zyrtar të PD.

Ndërsa deklaratën e Yuri Kim se Enkelejd Alibeaj është kryetar i PD e cilëson “qesharake” dhe “absurde”.

“Pas një heshtje të zgjatur e të kuptueshme nga zgjedhjet e 6 Marsit, ambasadorja  Yuri Kim injoroi themelin e demokracisë së shtetit të saj “We, the People”. Yuri Kim hyri sot në Kuvendin e Shqipërisë për një takim me kreun e grupit parlamentar të PD Enkelejd Alibeaj, por kur doli, me anë të një deklarate e shpalli atë në mënyrë qesharake dhe absurde si kryetar të Partisë Demokratike.  

Yuri Kim sot, sikurse dhe herë të tjera, nuk bëri asgjë më pak përveçse shkeli në mënyrë të përsëritur Konventën e Vienës si diplomate, duke shkelmuar mbi vendimin e gjykatës që konfirmoi verdiktin e demokratëve në Kuvendin e 11 dhjetorit, që i riktheu selinë, logon dhe vulën Komisionit të Rithemelimit- organit kolegjal të vetëm udhëheqës aktual të Partisë Demokratike”, thuhet në reagim.

Ndër të tjera, në reagim thuhet se ambasadorja Yuri Kim është në shërbim të lojërave të kryeministrit por sipas tyre, shqiptarët i kanë kuptuar vlerat e vërteta të SHBA. Për këtë i referohet edhe Lulzim Bashës, për të cilin thonë se u largua kur kuptoi se nuk mund të uzurpojë shumicën.

“Ajo gjithashtu, injoroi edhe votën e zgjedhësve të shprehur qartë më 6 mars.  Yuri Kim vërtetoi sot atë që e ka parathënë edhe me veprime të tjera se është në shërbim të lojërave të Edi Ramës për të dobësuar dhe për të mbajtur sa më gjatë peng opozitën, duke komanduar për kryetar ata që u refuzuan me votë masive nga demokratët. Per fat te mirë, shqiptaret e kanë kuptuar se vlerat e verteta të SHBA nuk janë arroganca, diversioni apo diktati,  por vota e lirë dhe demokracia. Këtë e kuptoi edhe ish kryetari që u largua dhe do ta kuptojë cilido që mendon të uzurpojë opozitën kundër vullnetit të shumicës”, thotë Grupi i Rithemelimit.

Top Channel