El Salvador tronditet nga fushata e shtypjes me 6,000 të arrestuar, të justifikuar me ‘vrasjet e bandave’ (fotot)

05/04/2022 21:52

Presidenti i ri autoritar i El Salvadorit, Nayib Bukele ka shpallur gjendjen e emergjencës duke anuluar të drejtat e qytetarëve pas vrasjeve të javës që shkoi mes përplasjes së bandave të drogës.

Fillimisht autoritetet e Bukele kërcënuan bandat me hakmarrje ndaj anëtarëve të tyre të mbajtur në burgjet e vendit, me skena të rënda ‘disiplinimi’ ndaj të burgosurve pjesëtar bandash si ajo MS13.

Tashmë mijëra familjarë janë mbledhur në stacionet e policisë për të mësuar mbi fatin e të dashurve të tyre, ashtu si një javë më parë në dyert e burgut pas fushatës së panikut të presidentit 40-vjeçar.

Burra gra e fëmijë janë arrestuar në të gjithë vendin amerikano-qendror që prej shpalljes së emergjencës më 27 mars, kur u pezulluan të drejtat kushtetuese.

Gjendja e emergjencës u shpall pas disa ditë dhune ku mbetën të vdekur 87 njerëz, për të cilët Bukele i vuri shpejt fajin bandës ‘Mara Salvatrucha’, e njohur ndryshe si MS-13.

Policia thotë tashmë se ka arrestuar liderët e MS-13 që kanë urdhëruar vrasjet, por gjithnjë e më shumë prova tregojnë se të kapurit janë njerëz të zakonshëm në zonat e dominuara nga bandat.

Në kryeqytetin San Salvador, qindra nëna e gra ishin grumbulluar para një baze të marinës qe po përdoret si një qendër masive paraburgimi.

33 vjeçarja Carmen Rodríguez, thotë se nuk e di se përse burri, vëllai dhe nipi i saj u arrestuan një javë më parë duke shkarkuar një makinë me rroba të përdorura në tregun kryesor të kryeqytetit.

“Kur pyetëm policinë se përse po i merrnin, ata nisën të na ofendonin”, thotë Rodríguez, e cila tregon se mezi gjen paratë për t’iu sjellë ushqimin në paraburgim.

“Ata po marrin të mirët, në vend të mëkatarëve. Është mirë që policia të bëjë punën e saj por është e padrejtë që të marrin njerëzit e ndershëm që punojnë– e madje t’i trajtojnë si kafshë,” shtoi ajo.

Javën e kaluar Bukele njoftoi se “ushqimi për të burgosurit anëtarë bandash do të racionohej”  për të ushqyer të burgosurit e rinj, pasi sipas tij nuk duhet të “merren para nga buxheti i arsimit për të ushqyer terroristët”.

Gjendja 30-ditore e emergjencës lejon arrestin dhe paraburgimin për 15 në vend të tre normalisht, pa të drejtë avokati mbrojtës.

Parlamenti i kontrolluar nga avokatët e Bukele kanë kaluar një ligj për arrestimin e minorenëve të dyshuar si anëtarë bandash.

Zaira Navas, avokate të drejtash e grupit salvadoran Cristosal, tha: “Të burgosurit nuk kanë asnjë të drejtë, janë si rob lufte dhe as nuk mund të dinë arsyen e arrestimit të tyre”.

Por Bukele po merr një qëndrim gjithnjë e më luftues ndaj atyre që kundërshtojnë qeverinë e tij dhe kohët e fundit ka quajtur “bashkëpunëtorë të bandave” përfaqësinë e SHBA, Shoqërinë e Hapur të George Soros dhe grupe të tjera liberale në vend.

Rosa López tha se policia hyri me forcë në shtëpinë e saj në Santa Tecla më 26 mars, dhe arrestoi kushëririn 20-vjeçar që është me sëmundje zemre, dhe tani ende nuk di asgjë për të.

“Policia nuk pyeti asnjë, vetëm hynë në shtëpi dhe e morën. Ata kapnin këdo që shihnin, kjo është jo vetëm e padrejtë por dhe ilegale”, tha 26 vjeçarja López. /TheGuardian/

FOTO GALERI
1/3
Tashmë mijëra familjarë janë mbledhur në stacionet e policisë për të mësuar mbi fatin e të dashurve të tyre

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA