Banorët e Laprakës dhe Paskuqanit u mblodhën sërish në protestë pranë Autoritetit Rrugor Shqiptar për të protestuar në lidhje me projektin e Unazës së Madhe.
Ata pretendojnë se ka devijim në projekt, që shton numrin e banesave që do të prishen.
Protestuesit kërkuan përgjigje për trajtimin që do të marrin banorët, banesat e të cilëve janë të palegalizuara.
“Te ARRSH na u dha një përgjigje e shkurtër, banesat e legalizuara do trajtohen me çmim reference për tre muajt e fundit, për banesat pa legalizim janë ende ne pikëpyetje se nuk ka VKM si do trajtohen këto banesa që janë shënuar që do shemben”, shprehet protestuesi.
Banorët thonë se banesat e tyre kanë mbetur peng të Kadastrës prej 17 vitesh dhe nuk janë legalizuar.
“Projekti i ARSH te kadastra është dërguar më datë 13 korrik 2021 dhe pse banesa nuk është legalizuar deri më datë 12 korrik 2021, një dite para se projekti te proktokollohej ne kadastër dhe te vijohej zbatimi në terren”, shprehet një tjetër.
Ndaj kërkuan dhe një takim me Drejtorin e Përgjithshëm të Kadastrës, Artan Lame.
Pas takimit që zgjati rreth një ore, kjo ishte dhe përgjigjja që morën.
“Zoti Lame tha me kane ardhur disa projekte dhe me kanë ardhur si me qenë duke më venë pistoletën në kokë kur vinte here një projekt herë një projekt tjetër, devijo këtej devijo andej dhe e kisha shumë problem, pra nuk ka pune me projektin zoti Lame”, tha një banor.
Më herët ministria e Infrastrukturës është shprehur se projekti i Unazës së Madhe nuk ka devijim dhe se askush nga banorët e prekur nuk do të mbetet në rrugë.
Top Channel