Shtetasit serb që jetojnë në Mitrovicë festuan mbrëmjen e kaluar fitoren e presidentit Aleksander Vuçiç në Serbi. Disa prej tyre nuk kursyen të shtënat me armë apo hedhjen e mjeteve të tjera piroteknike në qytet.

Policia e Kosovës megjithatë, nuk ka njoftuar për ndonjë arrestim në lidhje me të shtënat në veri të Mitrovicës, edhe pse u vendos në gatishmëri.

President aktual i  Serbisë dhe lideri i Partisë Përparimtare Serbe, Aleksandar Vuçiç, shpalli triumfin në zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare të mbajtura më 3 prill. Sipas rezultateve paraprake të publikuara nga organizatat joqeveritare në Serbi, IPSOS/CeSid, ai siguroi 59.8 për qind të votave, ç’ka i garanton një mandat tjetër pesëvjeçar në krye të Serbisë. Në fjalimin e fitores, Vuçiç reflektoi po të njëjtën qasje të kujdesshme në raport me politikën e jashtme, që ka ndjekur deri më tani.

“Besoj se do të përballemi me shumë sfida, por më e rëndësishmja është që Serbia të ruajë relatat e mira në rajon, e të vazhdojë rrugëtimin e saj europian, pa shkatërruar në të njëjtën kohë marrëdhëniet me miqtë tanë tradicionalë”, tha Vuçiç.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani reagoi me komentin se komuniteti ndërkombëtar “duhet të dënojë fytyrën e vërtetë të autoritarizmit të Serbisë”.Përmes një postimi në Tëitter, Osmani ka shprehur shqetësimin për mospjesëmarrjen e mijëra shqiptarëve të Luginës së Preshevës në zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare të Serbisë. “Sipas raportimeve, 6,000 shqiptarëve në Serbi i është mohuar e drejta e tyre themelore për të votuar, për shkak të fushatës së qëllimshme të spastrimit etnik përmes pasivizimit me mjete administrative”, ka shkruar ajo.

Politikanët shqiptarë në Luginë të Preshevës, kanë thënë më herët se ka vite që Serbia ka nisur të ashtëquajturin pasivizim të adresave të shqiptarëve që jetojnë në tre komunat jugore, në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, për të ndryshuar “strukturën etnike” të këtyre komunave. Në Serbi nuk ka numër të saktë të banorëve shqiptarë, pasi shqiptarët patën bojkotuar regjistrimin e popullsisë të bërë më 2011.

FOTO GALERI
1/12

Top Channel