Detajet/ Eshtrat e gjetura në Kurbin dyshohet se i përkasin adoleshentit të zhdukur 6 vite më parë

04/04/2022 13:12

Eshtrat e gjetura një ditë më parë në në Kurbin dyshohet se i përkasin një adoleshenti të zhdukur në 2015.

Policia thotë se ka nisur marrja e mostrave të ADN-së te familjarët.

Kafka dhe mbetjet kockore të gjetura pasditen e së dielës në Fushë-Kuqe të Kurbinit janë dërguar për ekzaminim në institutin e mjekësisë ligjore në Tiranë. Ekspertët e policisë kanë kryer të gjitha veprimet hetimore dhe në pamje të parë, dyshohet se kafka i përket ndonjë të riu që mund të ketë humbur jetën gjatë 10 viteve të fundit.

Për të zbuluar diçka të tillë do të verifikohet e gjithë lista e personave që rezultojnë të zhdukur, përfshirë dhe një 16-vjeçar nga Mamurrasi, zonë e cila ndodhet afër vendit ku u gjet kafka dhe mbetjet kockore. Familjarët e Mariglen Gjonajt, do të jenë të parët që do ju merret ADN-ja për të bërë krahasimin, ndërsa ekzaminimet do të përcaktojnë nëse kemi të bëjmë me vrasje apo personi në fjalë mund të ketë gjetur vdekjen për shkaqe natyrale. 16-vjeçari rezulton i zhdukur që prej muajit maj të vitit 2015. Familjarët kishin denoncuar rastin në polici, duke deklaruar se ditën që ka humbur kontaktet djali i tyre ka pasur me vete një orë të shtrenjtë “Rolex” si edhe disa bizhuteri, të cilat kapnin vlerën e 1 milion lekëve të rinj.

Pavarësisht veprimeve që janë kryer përgjatë 6 viteve nuk është arritur të arrihet në gjurmët e të riut. Kafka dhe mbetjet kockore u pikasen nga një banor, në një zonë me ferra dhe shkurre 30 metra larg rrugës që lidh Fushe-Kuqen me Adriatikun. Ai ka njoftuar policinë në lidhje me rastin dhe blutë u vunë menjëherë në lëvizje, duke kryer të gjitha veprimet hetimore në vendin e ngjarjes.

Ferrat dhe shkurret ku u gjet kafka dhe mbetjet kockore ishte përfshirë nga flaket e zjarrit 10 ditë më parë, e që prej asaj kohë në zonë kishte nisur të ndjehej aromë e rëndë, duke shqetësuar banoret të cilët i kanë shtëpitë e tyre 200 metra më larg.

Top Channel