Për të shtatin vit radhazi është zhvilluar konkursi I specializimeve afatgjata në Mjekësi. Këtë vit nisin procesin 318 specializantë, të cilët do të jenë mjekët tanë të ardhshëm.
Kristi Trako po specializohet pranë shërbimit të Gastro-Hepatologjisë në QSUT. Studenti ekselent është njëkohësisht anëtar i Senatit Akademik, përfaqësues i studentëve të Mjekësisë.
“Procesi i specializimit zgjat 3-4 vjet, në bazë të degës përkatëse. Numrin më të lartë të kuotave këtë vit e kanë patur degët ku nevoja është më e madhe si Kardiologjia, Radiologjia, Mjekësia e Urgjencës, Anestezi Reanimacioni, Mjekësia e Familjes. Rreth 1|3 e kuotave paguhen, dhe pjesa tjetër janë kuota të lira. Ndryshimi mes tyre është se kuotat që mbulohen paguhen me 80% të rrogës bazë të një mjeku, pra rreth 600 mijë lekë të vjetra. Ndërsa kuotat e lira përkundrazi paguajnë taksën e përvitshme të shkollës që është 1 milionë e 200 mijë lekë të vjetra në vit.
Pasi mbaron procesin e specializimit, një mjek të ri e detyron të rri në Shqipëri vetëm kontrata, që ka nënshkruar paraprakisht, këtu flasim vetëm për kuotat e mbuluara nga shteti. Ai duhet të punojë 3 vjet në një institucion mjekësor në vend, në rast të kundërt detyrohet t’i kthejë shtetit 5-fishin e rrogës që kanë marrë gjatë specializimit, pra rreth 100 milionë lekë të vjetra.
Unë personalisht kam dëshirë që karrierën time ta ndërtoj këtu, por që të jesh i aftë profesionalisht, të duhet patjetër një formim pasues jashtë vendit. Mjekët dhe infermierët që ikin jashtë i demotivon paga e ulët dhe kushtet e punës.
Që një specializant të mendojë ta ndërtojë karrierën dhe të ardhmen e tij këtu duhet së pari që të gjithë specializantët të paguhen, dhe së dyti që gjatë formimit të tyre të mos jenë vëzhgues, por të jenë pjesëmarrës aktivë në të gjithë punët dhe përgjegjësitë që ka një specialitet”.
Top Channel