Zbardhet itinerari/ Në pranga pas 12 orësh, Bllako u vetëdorëzua në polici në tre të mëngjesit

01/04/2022 15:03

Policia lajmëroi mëngjesin e kësaj të premte se kishte arrestuar ish deputetin socialist, Alqi Bllako.

Gjykata speciale e kishte dhënë një ditë më parë vendimin për arrestimin e tij, por deri në mesnatë Bllako nuk ndodhej në prangat e policisë.

Kjo bëri që të ngriheshin dyshime për mungesën e tij, ndërkohë që zyrtarët e tjerë të akuzuar në dosjen e incerenatorëve ishin prangosur më herët gjatë ditës.

SPAK sqaroi se vendimi i gjykatës i është vënë në dispozicion të Prokurorisë së Posaçme në orën 15.30 të ditës së djeshme. Ndërsa arrestimi është kryer në mëngjesin e orës 3:30 të së premtes.  Nga heqja e mandatit të cilin e dorëzoi vetë deputeti e deri tek autorizimi u deshën plot tre ditë për ta arrestuar dhe 12 orë për të vepruar policia, kohë gjatë së cilës mediave të ndryshme iu servirën informacione të ndryshme mbi arrestimin apo vetëdorëzimin e tij.

U deshën sërish dhe disa orë pasi në media doli lajmi se Bllako mund të ishte arratisur, që ish-deputeti socialist të vihej në pranga në orët e para të mëngjesit. Bllako akuzohet se ne kohen kur ishte sekretar i përgjithshëm i ministrisë së Mjedisit kishte shpërdoruar detyrën duke falsifikuar se bashku me ministrin Lefter Koka dokumentat zyrtare te shpronësimit të tokës ne Fier ku do ndërtohej inceneratori.

Top Channel