Tre persona kanë rënë në prangat e policisë dhe një tjetër është marrë nën hetim në Shkodër, pasi dyshohen se kanë falsifikuar dokumente.

Policia bën me dije se në kuadër të operacionit “Alias”, pas një pune të mirëfilltë hetimore janë arrestuar:

S.P., 68 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Falsifikimi i letërnjoftimeve, i pasaportave ose i vizave”, “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Falsifikimi i dokumenteve shkollore”;

B.B., 64 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Falsifikimi i letërnjoftimeve, i pasaportave ose i vizave” dhe “Falsifikimi i dokumenteve shëndetësore”, të kryera në bashkëpunim;

P.B., 32 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Falsifikimi i letërnjoftimeve, i pasaportave ose i vizave”, kryer në bashkëpunim.

Gjithashtu, u procedua në gjendje të lirë për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve shëndetësore”, kryer në bashkëpunim, shtetasi B. Sh., 56 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë teknik-radiolog pranë një spitali privat në Tiranë.

Gjatë muajit mars, këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë falsifikuar dokumente identifikimi, dokumente mjekësore dhe shkollore, në këmbim të vlerave të ndryshme monetare.

Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar 3 dokumente identifikimi (pasaporta), të dyshuara të falsifikuara, vizë angleze e dyshuar false, 1 laptop dhe një sasi e konsiderueshme parash.

Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor, për veprime të mëtejshme.

 

Top Channel