Një telefonatë mëngjesin e të premtes, e njoftonte se i kishte dalë viza amerikane, për Sadete Mazarin nuk ishte një gënjeshtër e 1 Prillit.

Jo vetëm që në pasaportën e saj ishte stampuar viza me flamurin amerikan, por ajo bëhet e para shqiptare që merr një vizë jo tre vjeçare si deri më dje, por 10 vjeçare sipas sistemit të ri të vizave aprovuar nga qeveria e SHBA për shqiptarët.

Gazetari i Top Channel, Muhamed Veliu takoi 23-vjeçaren Mazari, pasi ajo doli nga selia diplomatike në rrugën e Elbasanit.

MUHAMED VELIU-Jeni shqiptarja e parë që merrni një vizë 10 vjeçare amerikane.  Çfarë ndjesie patët kur ambasadorja Yuri Kim iu dha pasaportën me këtë vizë?

SADETE MAZARIShumë e emocionuar. Normalisht një ndjesi që do ta kishte çdo shqiptar. Përgjithësisht shumë shumë e lumtur.

Vetë ambasadorja Yuri Kim ia dorëzoi vizën Sadetes në ambientet e ambasadës duke komentuar në Twitter  se sot mund të jetë 1 prill, por kjo nuk është shaka! 1 Prilli shënon ditën e parë të zgjatjes 10 vjeçare të vizave për shqiptarët të cilët marrin viza turistike dhe biznesi për në Shtetet e Bashkuara.

SADETE MAZARI-Më pyeti për planet e mia, për bacgroundin tim familjar. Më tregoi se sa hap i rëndësishëm është për të gjithë Shqipërinë për pjesën e udhëtimit në Amerikë meqë vizat nga 3 u bënë 10 vjeçare. Ishte një bisedë shumë e këndshme. Pa siklet, pa emocione.

MUHAMED VELIU-Çfarë keni ndërmend të bëni me këtë vizë?

SADETE MAZARI- Faktikisht unë e kisha planifikuar që në verë të shkoja me shoqen time të ngushtë në New York City. E kam vizituar edhe më parë por doja që këtë herë të shkoja me bashkë me atë e të kisha një eksperiencë më unike.

MUHAMED VELIU-Pasja në xhep e një vize 10 vjeçare a ua shton dëshirën edhe për të qëndruar gjetur një punë e hyrë në procese të tjera?

SADETE MAZARI-Mendoj se është e kundërta. Kur e di që e kam për 10 vjet mundet ta vizitojë sa herë që dua. Kjo nuk më shtyn që të punësohem. Ndoshta në ardhmen. Nuk e kam në plan për momentin. Thjesht dua të shkoj atje ta shijoj.

Përzgjedhja e kësaj 23 vjeçareje në marrjen e vizës së parë 10 vjeçare,  në pamje të parë duket e rastësishme por duke ditur se diplomacia amerikane  flet edhe përmes simbolikave, kjo tregon se ardhmja e marrëdhënieve të SHBA me Shqipërinë janë  të rinjtë.

Për të rinjtë dhe të vjetrit mëkatarë të politikës shqiptare, ua kanë vënë vizën duke u dhënë vetëm parashtesën ‘non grata’.

Top Channel