Southampton do të udhëtojë këtë fundjavë drejt “Elland Road” për t’u përballur me Leeds United, një kundërshtar të cilin Armando Broja nuk do ta harrojë, pasi pikërisht ndaj tyre shënoi golin e parë në Premier League, në tetorin e vitit të kaluar.
Sulmuesi 20-vjeçar shqiptar është stërvitur rregullisht me skuadrën e Southampton gjatë këtyre ditëve dhe pritet të jetë titullar në përballjen e të shtunës ndaj Leeds, ndërsa trajneri Ralph Hasenhuttl ka analizuar rritjen e Brojës, që nga ditët e para te “shenjtorët”.
“Mendoj se ndryshimi më i madh te Broja, është se ai ka kuptuar çfarë e bën të suksesshëm. Për të qenë një lojtar i madh, nuk mund të rrish në fushë e të presësh ato 2-3 raste për të shënuar, por duhet të jesh aktiv, të marrësh pjesë në lojë, të krijosh hapësira për të tjerët, të ndihmosh në fazën defensive, etj., pasi kështu vijnë edhe golat.
Mendoj se kjo është gjëja që Broja e ka kuptuar më së miri gjatë këtyre muajve dhe është rritur ndjeshëm. Në ndeshjet e fundit ai nuk ka shënuar, por ka qenë gjithmonë një pikë referimi për skuadrën dhe ka luajtur vërtetë mirë, duke marrë pjesë në lojë në mënyrë aktive. Në futboll duhet të mësosh çdo ditë dhe të përmirësohesh vazhdimisht, deri ditën që të tërhiqesh, gjë që Broja tashmë e ka të qartë. Shpresoj të vazhdojë kështu dhe të rritet edhe më shumë”, u shpreh Hasenhuttl.
Sfida Leeds -Southampton është parashikuar të startojë nesër në orën 16:00 dhe do të transmetohet live në ekranin e SuperSport 5.
Top Channel