BE rishikon ndalimin e shitjes së automjeteve me djegie të brendshme, mirëpret hibridet dhe biokarburantet
Çifti ishin pronarë të një picerie në zonën urbane
Një grua nga Bucks County në Pensilvani të SHBA, ka vrarë me armë bashkëjetuesin e saj, mbajti trupin e tij për më shumë se një javë në frigorifer dhe më pas pagoi dikë për të hapur një gropë në kopshtin e saj për ta varrosur, sipas policisë vendase.
48 vjeçarja Anna Maria Tolomello, akuzohet për vrasjen e Giovanni Gallina, i përshkruar në dokumente si bashkëjetuesi i saj i ligjshem. Gruaja pranoi se qëlloi 65 vjeçarin Gallina, në kokë më 16 mars, dhe se mbajti trupin e tij të mbështjellë me plastikë në dhomën e saj të gjumit në komunitetin Hilltown Township, sipas dokumenteve.
Çifti menaxhonin picerinë Pina’s Pizzeria në qytezën Chalfont.
Policia u vu në dijeni të zhdukjes së Gallina në fillim të javës pasi djali i tij që jeton në Itali ankohej se nuk mund të kontaktonte me të.
Ai u tha autoriteteve se Tolomello i kishte thënë se Gallina ishte larguar për punë por nuk specifikonte se ku apo sa do të qëndronte, prandaj nisi të dyshonte.
Edhe punonjësit e picerisë thonin se nuk kishin parë Gallina “prej disa kohësh,” sipas dokumenteve.
Por të enjten një dëshmitar vullnetar i tregoi autoriteteve se i kishte dërguar një mesazh Tolomello, partnerja e të zhdukurit ku i kërkonte të gërmonte një gropë në rrugën pranë shtëpisë së tyre pasi “dëshironte të varroste disa gjëra”.
Pas njoftimit të policisë, person shkoi në shtëpinë e Tolomello dhe gërmoi gropën, për të cilën gruaja e pagoi $350 para në dorë.
Pas paraqitjes së policisë në pronën e gruas me një mandat kontrolli, Tolomello pranoi shpejt se e kishte qëlluar për vdekje partnerin e saj “për vetëmbrojtje”, thuhet në dokumentet e gjyqit.
Ajo tha se e kishte qëlluar Gallina teksa ai kërkonte ta mbyste në krevat, dhe më pas ishte përpjekur të fshihte gjurmët e krimit.
Gjyqi nis muajin që vjen.
Top Channel