Vetëm 15% e dosjeve të sakta në Kadastrën e Durrësit, Ambasadorja e SHBA-së: Presim hapa konkretë për rritjen e transparencës

31/03/2022 16:58

Ambasadorja e SHBA-së, Yuri Kim ka reaguar në lidhje me raportin se 15% e dosjeve të Kadastrës së Durrësit janë të sakta.

Ajo thekson se Amerika pret hapa konkretë për përgjegjësit e shkeljeve, rritjen e transparencës dhe mbylljen e mundësive për korrupsion.

Sipas Kim, këto hapa  do të tërheqin më shumë investime, përfshirë edhe nga SHBA-në, duke qartësuar  mundësitë se Shqipëria është gati për t’u anëtarësuar në BE.

Në raportin prej 600 faqesh janë pasqyruar abuzimet e 32 viteve, ndërsa zonat më problematike janë ato bregdetare si Plazh, Spitallë, Lalëz, Draç dhe Rodon.

Sipas Lames, kjo ka ndodhur pasi  nuk ka pasur rregullore dhe përgjegjësi se kush i administronte regjistrat dhe kur kalohej arkivi nga një punonjës tek tjetri, kjo bëhej pa inventar dhe pa asnjë kontroll.  Tashmë arkivi i kadastrës Durrës do i nënshtrohet digjitalizmit dhe  do të jetë i pajisur me sistem kamerash dhe alarmi.

“Mirëpresim raportin e sinqertë të Agjencisë së Kadastrës në lidhje me mangësitë dhe krimet e mundshme në Durrës. Ne presim hapa konkretë për të mbajtur përgjegjës përgjegjësit, për të rritur transparencën dhe për të mbyllur mundësitë për korrupsion, Kur bëhet fjalë për regjistrimin e pronave në Durrës dhe gjetkë në Shqipëri. Hapat e tillë do të tërheqin më shumë investime, përfshirë edhe nga SHBA. Ata gjithashtu do të bëjnë të qartë se Shqipëria është gati për t’u anëtarësuar në BE”, shkruan Kim në Twitter.

Drejtori i Përgjithshëm i Kadastrës, Artan Lame një ditë më parë tha se vetëm 15 % e dosjeve të Kadastrës së Durrësit janë pa probleme.

Sipas tij, pjesa tjetër e regjistrave janë me faqe që mungojnë, të grisura madje edhe që tregojnë se për një pasuri janë ndjekur dy rrugë të ndryshme legalizimi apo kthimi te pronari duke sjellë abuzime të mëdha.

Situata që paraqet Raporti e tejkalon çfarëdolloj imagjinate. Mjafton të të them vetëm disa shifra: Nga 1063 regjistra, vetëm 152 rezultojnë pa dëmtime.

Të tjerët, (908 regjistra) rezultojnë të dëmtuar me grisje, heqje fletësh, ndërrime faqesh, etj.

–  730 faqe mungojnë tërësisht (janë grisur dhe nuk janë zëvendësuar fare);

–  243 faqe të zëvendësuara (pra kanë hequr faqen e vërtetë dhe e kanë zëvendësuar me një tjetër);

–  569 faqe të dubluara (pra e njëjta pasuri ekziston 2 herë. Këtë e bënin për të punuar me dy linja për të njëjtën pasuri);

–    25 faqe të grisura (pra është grisur faqja, por ka mbetur pjesa e qepjes);

-1548 faqe bosh (faqe që liheshin bosh herë pas here, me qëllim për t’u përdorur me data te mëparshme. Sa më sipër janë dëmtimet që duken, pasi ka edhe pafund ndërrime fletësh që janë bërë me art dhe nuk kuptohet që janë zëvendësuar. Kjo sepse regjistrat janë të shqepur dhe mund të heqësh e të shtosh pa hesap. Regjistrat e dëmtuar më shumë, natyrisht që janë ata që kanë të bëjnë me pasuritë përgjatë zonës bregdetare: Plazh, Spitallë, Lalëz, Draç, Rodon, etj”, u shpreh tha Lame.

Në janar të 2022 Ministria e Drejtësisë vendosi të shkrijë Agjencinë Shtetërore të Kadastrës në Durrës për shkak të abuzimeve që ishin bërë në pothuajse nga e gjithë administratat.

Top Channel