Rritja e faturave, ekspertët: Lëvizje e pastudiuar! Qeveria, masa më serioze

31/03/2022 19:36

Menaxhimi, më shumë se kriza globale e energjisë nga efektet e luftës Rusi-Ukrainë është shkaku kryesor që po rrit çmimin e energjisë për bizneset e familjet e pasura në vijim.

I këtij mendimi është eksperti për çështjet e energjisë, Eduart Elezi sipas të cilit edhe shtrenjtimi për bizneset do të godasë sërish qytetarët e thjeshtë, pasi çdo kosto shtesë do të bjerë mbi to, në çmimin final të produkteve që do të blejnë.

“Nuk është kjo familje të pasura familje të varfra, pasi kjo do një ministri t’i ndash kush është e pasur, kush është e varfër. Do të rrisë çmimin për familjarët dhe bizneset e lidhura në 0.4 kW.  Rritja e çmimeve të energjisë elektrike do të sjellë një rritje të mëtejshme të të gjithë produkteve sepse konsumi i energjisë është baza e ekonomisë dhe me një ndërhyrje të tillë me rritje të tarifave të energjisë, do të jetë një situatë e vështirë për qytetarët dhe funksionimin e biznesit.”

Sipas ekspertëve, qeveria duhet të marrë situatën në dorë duke ndërhyrë në sektorin e energjisë në këto drejtime.

 “Forma e parë është që shteti shqiptar të hyjë garant për OSHEE duke realizuar kreditime afatmesme dhe afatgjatë për të, pasi kanë aktivitet. Mundësia e dytë janë grantet që ka BE lidhur me ndikimet e situatës së luftës, të ketë ndërhyrje në zëra shpenzimet që nuk janë prioritare dhe të fokusohen të sektori i energjisë për të mos ndërprerë furnizimin dhe për të mbështetur qytetarët që preken.”

Qeveria është zotuar të mbrojë shtresat në nevojë dhe bizneset e vogla nga ky shtrenjtim çmimi i faturave të energjisë, por të tjerët që do gjykohen se kanë të ardhura, do të paguajnë çmimet e reja të ngritura. Në qershorin e ardhshëm 7400 biznese pritet të dalin në treg të lirë për blerje energjie dhe situata duket aspak e favorshme për sigurimin e saj me çmime të lira.

Top Channel