Një mësuese në Pakistan është masakruar me thikë nga një kolege femër dhe mbesat e saj, të cilat besonin raportimet e pakonfirmuara se viktima kishte ofenduar profetin musliman Muhamed, njoftonte sot policia e vendit.
Dy nxënëset dhe mësuesja i kishin zënë pritë dje Safoora Bibi në hyrjen kryesore të shkollës së vajzave dhe e sulmuan me thikë dhe një shkop, thanë oficerët.
“Ajo vdiq kur e kishin prerë në grykë me thikë”, tha zyrtari vendas i policisë Saghir Ahmed.
Dy vajzat thanë në polici se një e afërm e tyre “kishte parë në ëndërr” se viktima kishte kryer blasfemi kundër Profertit Muhamed, thanë oficerët, por shtonin se ishin duke hetuar një konflikt personal që e dyshuara kryesore Umra Aman, kishte me viktimën.
“Aman ishte kolegia e saj që planifikoi krimin me dy mbesat e saj që studiojnë në shkollën Jamia Islamia Falahul Binaat”, tha policia.
Incidenti ndodhi në shkollën ultra-konservatore Dera Ismail Khan në provincën veriore Khyber Pakhtunkhwa në kufi me Afganistanin.
Vrasja është më e fundit e lidhur me çështjen delikate të blasfemisë në Pakistan, ligjet e ashpra të së cilës raportohet se po përdoren për hakmarrje personale mes qytetarëve në konflikte të tjera.
Shkollat fetare të njohura si ‘madrasa’, kanë shërbyer si një shpëtim për shumë fëmijë të varfër në Pakistan, ku shërbimet sociale janë thuajse inekzistente.
Statistikat thonë se 84 njerëz janë akuzuar për blasfemi vetëm vitin e kaluar dhe të paktën tre janë vrarë në vetëgjyqësi nga turmat për akuza të tilla.
Top Channel